Pak më shumë se një muaj pas vdekjes tragjike të dizajnerit të njohur nga Gjilani, Festim Isufi, familjarët ende nuk kanë marrë përgjigje përfundimtare lidhur me rrethanat e ndarjes së tij nga jeta.

Vëllai i tij, Lulzim Isufi, ka folur për emisionin “Kosova Today”, ku ka bërë deklarata të forta që hedhin dyshime mbi mundësinë e përfshirjes së një personi të tretë në rastin e ndjeshëm.


“Akoma nuk e kemi marrë raportin e autopsisë. Nuk ka asgjë të sigurt, nuk kemi marrë asgjë”, deklaroi Lulzimi, duke nënvizuar se familja vazhdon të qëndrojë në pritje të rezultateve zyrtare nga organet hetimore.

Foto: Screenshot/YouTube

Ai shton se pavarësisht mungesës së konfirmimeve zyrtare, ka informacione që i japin arsye të besojë në një skenar më kompleks se sa ato që janë raportuar.

“Sipas informatave që kam vetë unë personalisht, pa prokurori, pa asgjë, me sa e di unë, këtu është i përfshirë një i tretë. Ama pa qenë 100 për qind i sigurt, nuk mund të them më shumë”, u shpreh ai.

Vëllai i stilistit të njohur theksoi më tej: “Besoj që edhe prokuroria e di që ka edhe të tjerë të përfshirë. Ne nuk i përzihemi prokurorisë çka bën, por me sa kam informacion, është edhe një i tretë i përfshirë. Kam thënë që po dyshoj, mirëpo tani në bazë të informacioneve që kam, po besoj që kjo është e sigurt”.

Foto: Screenshot/Instagram

Festim Isufi u gjet i pajetë më 9 maj 2025 në banesën e tij në Prishtinë, dhe që nga ajo kohë, lajmi tronditi opinionin publik dhe komunitetin artistik në Kosovë e më gjerë.

Deklaratat e vëllait të tij kanë risjellë vëmendjen ndaj këtij rasti, duke rritur presionin publik për zbardhjen e plotë të çështjes.

Opinioni tashmë pret me vëmendje çdo zhvillim të ri nga prokuroria, ndërsa familja e të ndjerit vazhdon të kërkojë të vërtetën për humbjen e njeriut të tyre të dashur. /Telegrafi/