Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka drejtuar akuza ndaj LVV-së, duke thënë se e tërë përpjekja e tyre është vetëm për pushtet dhe për ta nënçmuar LDK-në.

Veliu përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “Kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj evropiane dhe euroatlantike”.

Postimi i plotë:

Angazhimi dhe veprimet e ditëve të fundit të VV-së nuk janë një përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në për të bashkëqeverisë mbi bazën e fuqisë së votës.

E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin.

Madje, kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantike.

Nga cila e kaluar duan ata të shkëputemi? Mbase duan që të distancohemi edhe nga rugovizmi.

Kjo përpjekje e tyre sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh. /Telegrafi/