Cary-Hiroyuki Tagawa, aktori i njohur për rolet e tij të paharrueshme në Mortal Kombat dhe The Man in the High Castle, ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçe.

Ai vdiq në Santa Barbara nga komplikime të shkaktuara nga një goditje në tru, sipas konfirmimit të Rolling Stone.


I lindur në Tokio, Japonia, Tagawa u rrit në Kaliforninë Jugore, ku ndoqi shkollën dhe më pas Universitetin e Kalifornisë së Jugut.

Ai filloi karrierën në aktrim dhe zhvilloi stilin e tij të arteve marciale, Chu Shin. Një nga rolet e tij të para të rëndësishme ishte në filmin The Last Emperor (1987) të Bernardo Bertoluccit, i cili fitoi nëntë çmime Oscar.

Tagawa u bë i njohur më tej për rolin e tij si Shang Tsung në Mortal Kombat (1995), një portretizim që konsiderohet klasik.

Ai luajti gjithashtu në filma si Licence to Kill (1989), Memoirs of a Geisha (2005) dhe Tekken (2010), si dhe në seriale televizive si Nash Bridges, Miami Vice, Baywatch dhe Hawaii.

Në ekranin e vogël, roli i tij si Nobusuke Tagomi në serialin fitues të Emmy, The Man in the High Castle, mbetet ndër më të paharrueshmit.

Menaxherja e tij e hershme, Margie Weiner, e përshkroi Tagawa-n si një shpirt të rrallë: bujar, i kujdesshëm dhe i përkushtuar pafundësisht ndaj zanatit të tij.

Tagawa do të mbahet mend për kontributin e tij të madh në kinematografi dhe televizion, si dhe për ndikimin e tij në kulturën popullore. /Telegrafi/