Nga: Elona Caslli

Vdekja nuk i bën njerëzit më të mirë. Thjesht ata nuk ekzistojnë më.

Personalisht, vdekja e një njeriu që ka bërë dëm në jetën e shumë njerëzve as nuk më gëzon dhe as nuk më trishton.

Më lë asnjanëse.

Nuk mund të arrij të gëzohem, sepse vdekja e një njeriu nuk shpaguan gjithë dëmin që ai ka provokuar në jetët e të tjerëve dhe as nuk arrij të trishtohem sepse nuk më lidh emocionalisht asgjë me njerëzit që kanë bërë dëm me vullnet dhe me vetëdije të plotë tek shqiptarët.

Prirja që pas vdekjes dëmprurësi të trajtohet si dobiprurës është e zakonshme në shoqërinë shqiptare.  Dhe, kur ndodh ky proces, fyhet ajo çka quhet kujtesë kolektive. Fyerja provokon reagim. Dhe, reagimi është më se i kuptueshëm dhe tejet logjik.

Të flasësh dhe të jesh tolerant ndaj një dhimbjeje që nuk e ke provuar është krejt e thjeshtë, por nuk është as pjekuri dhe as qytetari,

Ndaj, është më e udhës të heshtni se sa të orvateni të na e servirni dëmin si dobi.

Post Scriptum: Vdekja nuk e tjetërson historikun e një njeriu. Thjesht e ndal këtë të fundit.