Vdekja e Kasapit, Ministria e Kulturës me telegram ngushëllimi: Ikja e tij e papritur ka prekur zemrat e të gjithëve

Është ndarë nga jeta sot (e mërkurë) në moshën 40-vjeçare këngëtari i njohur, Shpat Kasapi.
Ikja e tij e papritur ka lënë një boshllëk të madh në skenën muzikore shqiptare dhe ka prekur thellë zemrat e fansave dhe të komunitetit artistik.
Për këtë u bënë reagime të shumta, e një telegram ngushëllimi u nda edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Telegrami i plotë:
"E nderuar familja Kasapi,Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi.
Ikja e tij e papritur ka prekur zemrat e të gjithëve.
Shpat Kasapi, me zërin e tij, me punën dhe me prezencën artistike, arriti të bashkonte publikun anembanë trojeve shqiptare dhe të krijonte një lidhje të veçantë me artdashësit.
Kontributi i tij mbetet i pashlyeshëm dhe kujtimi për të do të jetojë gjatë.
Në emër të Ministrisë së Kulturës dhe në emrin tim personal, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi, komunitetit artistik, miqve, bashkëpunëtorëve të tij, si dhe të gjithë atyre që e deshën dhe e vlerësuan artin e tij.
Me respekt, Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit". /Telegrafi/




























































