LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon të mbetet i lart deficiti tregtar edhe gjatë muajit shtator

Vazhdon të mbetet i lart deficiti tregtar edhe gjatë muajit shtator

Të dhënat nga tregtia e jashtme të mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 0.1 për qind në muajin shtator 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 257.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 257.1 milionë euro në vitin 2018.

Eksporti mbulon importin me 13 për qind.


Sipas raportit “Statistikat e Tregtisë së Jashtme, shtator 2019” prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, eksporti i mallrave në këtë muaj kishte vlerën 38.4 milionë euro, ndërsa importi 295.7 milionë euro, që është një rritje prej 4.7 për qind për eksport dhe një rritje prej 0.6 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, përcjell Telegrafi.

Nga të dhënat e grupeve kryesore të eksportit, 35.9 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 13 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre, 12.1 për qind e përbëjnë produktet minerale, 9.8 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 8.1 për qind e përbëjnë produktet bimore, 5.1 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar dhe 3.3 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike.

Efektet e tarifës, importet nga Serbia për shtatë mujorin e parë të 2019-s bien nga 177.8 milionë euro në 1.9 milion euro
Lexo po ashtu Efektet e tarifës, importet nga Serbia për shtatë mujorin e parë të 2019-s bien nga 177.8 milionë euro në 1.9 milion euro

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import 14.6 për qind e përbëjnë produktet minerale, 11.8 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.8 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 11.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 8.4 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, 7.3 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike dhe 6.5 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre.

Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 12.8 milionë euro ose rreth 33.5 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 25.5 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në vendet evropiane ishin Gjermania me 9.3 për qind, Holanda me 4.2 për qind, Danimarka me 3.9 për qind, Italia me 3.8 për qind dhe Britania e Madhe me 3.6 për qind.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet evropiane ishin rreth 142.3 milionë euro ose 48.1 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 14.7 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 12.2 për qind, Italia me 6.5 për qind, Greqia me 5.2 për qind, Sllovenia me 3.9 për qind dhe Bullgaria me 3.3 për qind.

Kosova gjatë muajit gusht importoi dhjetë herë më shumë sesa eksportoi
Lexo po ashtu Kosova gjatë muajit gusht importoi dhjetë herë më shumë sesa eksportoi

Në muajin shtator 2019, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 16 milionë euro ose 41.8 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6.3 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së janë Shqipëria me 18 për qind, Maqedonia e Veriut me 10.3 për qind, Serbia me 6.7 për qind dhe Mali i Zi me 4.8 për qind.

Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e CEFTA-së në këtë muaj arritën në 42.5 milionë euro ose 14.4 për qind të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 48.2 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Maqedonia e Veriut me 6.9 për qind, Shqipëria me 6.2 për qind dhe Serbia me 0.2 për qind.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 9.4 milionë euro ose 24.7 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden India me 12.4 për qind dhe Zvicra me 7 për qind.

Por, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 110.8 milionë euro ose 37.5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 13.7 për qind dhe Kina 8.8 për qind. /Telegrafi/