LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon golgota e tetovarëve me mbeturinat

Vazhdon golgota e tetovarëve me mbeturinat

Problemi i pazgjidhur i mbeturinave vazhdon të përbëjë shqetësim të madh për qytetarët e Tetovës. Gjendja është rënduar ditëve të fundit me shtimin e sasisë së mbeturinave në pikën e ngarkim shkarkimit si dhe ndezjen e tyre gjatë natës, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Për televizionin Alsat-M, banorët e Tetovës kanë shprehur revoltën e tyre për shkak të siç thonë helmimit të vazhdueshëm dhe neglizhencën e institucioneve ndaj kësaj situate.


“Kjo puna e tanishme është shumë punë e keqe, krejt sëmundjet prej kësaj paraqiten. Ne banojmë këtu poshtë, era vjen shumë dritaret s’mund ti hapim”.

“Vërtetë shumë na pengon dritaret s`mund ti hapim, tash vapë bën, kuptoni kjo katastrofë është”.

“Nuk është normale, nuk e di se çka bëhet. Këtu nuk është vendi për mbeturinat por ja”.

Autoritet lokale arsyetohen se gjendja e tillë është shkaktuar pas ndërprerjes së bartjes së mbeturinave në Rusino.

“Arsyeja është shkak i festave, por edhe shkaku se ndërpremë bartjen në Rusino dhe bëmë kontratë me Drisllën dhe është pak më vështirë bartja atje shpresoj se me bartjen për në Rusino në një të ardhme të afërt ky problem do jetë i kryer dhe do bëhet si është më së miri”, ka thënë Nazif Jashari, nga Sektori për menaxhim me mbeturinat, pranë komunës së Tetovës.

Nga ana tjetër Inspektorati shtetëror i Ministrisë së ekologjisë e shfajëson shkollën e Mesme Bujqësore të Tetovës, e cila i hedh kafshët e ngordhura në puse. Sipas inspektoratit, akti i hedhjes së kafshëve në puset, nuk ka asgjë të keqe, por fajin e kanë hajdutët e hekurishteve, të cilët iu vjedhin kapakët e puseve. Edhe nga vetë shkolla e Mesme thanë se punojnë duke ndjekur rregullat.

“Për momentin nuk shoh ndonjë zgjidhje, përveçse si shkollë, meqë kemi traditë të lashtë, të na dislokojnë, pra të na japin stallën, qumështoren, tokë për punim, për kafshët. Megjithatë kjo gropë është bërë sipas gjitha standardeve dhe e ka bë firmë ndërtimi me gjitha standardet. Puset dezinfektohen dy herë në vit me nga 50 kilogram gëlqere. Po ashtu, shpesh na vizitojnë inspektorët dhe nuk kanë hasur ndonjë lëshim, megjithatë ky është një rast jo i mirë, sepse na vizitojnë edhe vjedhësit të cilët duke kërkuar hekur të vjetër…. Dikush ndoshta edhe me qëllim e ka hapur kapakun”, ka thënë Aleksandar Baçevski, drejtor i Sh. M. ”Mosha Pijade” në Tetovë.

Por, edhe përkundër arsyetimeve nga ana e Institucionit në fjalë dhe Inspektoratit të Ministrisë së Ekologjisë, banorët kërkojnë që puset të mbyllen sepse era e keqe iu pamundëson të hapin edhe dritaret, ndërkohë që eshtra kafshësh të ngordhura shpesh përfundojnë nëpër oborret e tyre nga qentë./Telegrafi/