LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon beteja për pagën minimale në SHBA

Vazhdon beteja për pagën minimale në SHBA

Punëtorët e shërbimeve jetike, shumë prej të cilëve u përkasin pakicave racore, shpresojnë se kur presidenti i zgjedhur Joe Biden të vijë në krye të vendit, do të paguhen më mirë.

Paga minimale në Shtetet e Bashkuara nuk është rritur që në vitin 2009 dhe Biden ka premtuar t’u përgjigjet shqetësimeve të amerikanëve që paguhen në këtë kategori.

Orlando Davila ka punuar në një biznes të vogël që në 2012. Ky 73-vjeçar me origjinë nga Bolivia punon në kuzhinën e një restoranti dhe megjithëse do të donte të dilte në pension, nuk është gati financiarisht.

“Duhet të vazhdoj të punoj sepse ende nuk kam shlyer kredinë e shtëpisë, kam faturat e ujit, dritave e gazit”, thotë Davila.

75 për qind e punëtorëve në këtë restorant në Virginia marrin 8-12 dollarë në orë, që në fakt është pagesë pak më e lartë se paga minimale federale prej 7.25 dollarë në orë.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden ka premtuar ta dyfishojë pagën minimale duke e bërë 15 dollarë në orë.

Drejtoresha e restorantit, Chloe Swanson, do që të mbështesë punëtorët e saj. Ajo e ka të qartë se kostoja e jetesës ka vazhduar të rritet gjatë viteve. Por ajo mbështet argumentet e presidentit Donald Trump dhe republikanëve në Senat që thonë se rritja e pagës minimale krijon presion për bizneset.

“Një argument i tillë ta bën të qartë se duhet të bësh shkurtime të konsiderueshme buxhetore, ndoshta edhe shkurtime në personel. Unë vetë besoj se duhet rritur paga minimale, por mendoj se duhet bërë gradualisht”, thotë Swanson.

Një propozim për rritjen e pagës minimale ka ngecur në Kongres, si rezultat i mospajtimeve mes demokratëve e republikanëve. Propozimi parashikon rritjen graduale të pagës minimale në 15 dollarë në orë deri në 2025.

Ndërkaq, shtatë shtete amerikane e kanë rritur ose po e rrisin pagën minimale deri në 15 dollarë.

Në Florida, votuesit e miratuan rritjen në zgjedhjet e fundit.

Që nga 1 korriku, kryeqyteti, Washington, e ka çuar në 15 dollarë pagën minimale.

“Rritja e pagës minimale është çështje drejtësie. Gratë dhe individët që u përkasin pakicave racore marrin statistikisht paga të ulëta në përqindje më të larta. Në fakt në Shtetet e Bashkuara tregu i krahut të punës është diskriminues mbi baza gjinore dhe racore, prandaj duhet të përdorim të gjitha mjetet politike për ta ndrequr këtë problem”, thotë ekonomisti Ben Zipperer.

Por jo të gjithë mendojnë ashtu. Adnan Hamidi, pronar i një dyqani ëmbëlsirash, e quan këtë ndërhyrje qeveritare.

“Duhet të investojnë në programe që i ndihmojnë këta njerëz. T’i ndihmojnë të rrisin aftësitë dhe jo të boshatisin arkën e dikujt tjetër”, thotë Hamidi.

Zyra e Kongresit për Buxhetin përllogarit se rritja e pagës minimale federale deri në vitin 2025 mund të përmirësojë të ardhurat e 27 milionë punëtorëve, por gjithashtu mund të shkurtojë 1.3 milion vende pune.

Zgjedhjet në Georgia, ku varet fati i dy vendeve në Senat, mund të diktojnë suksesin e përpjekjeve të Bidenit për të siguruar miratimin e planeve të tij në Kongres. Këto zgjedhje që do të vendosen në janar do të diktojnë balancën e forcave në Senat, ndërkohë që Dhomën e Përfaqësuesve e kontrollojnë demokratët.

“Ka akte më të vogla që mund të realizohen përmes urdhrave ekzekutivë. Por ndryshime të gjera në ligjin e punës kërkojnë miratim nga Kongresi”, thotë Zipperer.

Ata që mund të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, si Natalie Pugmire, e cila punon në një sallon bukurie, mbeten me shpresë.

“Nuk duhet të jesh në këtë betejë të vazhdueshme dhe përsëri të mbetesh në fund. Mendoj se të gjithë bashkë do të jemi më të fortë nëse u japim njerëzve një pagë të drejtë”, thotë Pugmire. /VoA/