LAJMI I FUNDIT:

Përfundon bastisja në banesën e ish- këshilltarit të Thaçit nga Gjykata Speciale, Qerkini: Nuk ka urdhër arrest për Behramajn

Përfundon bastisja në banesën e ish- këshilltarit të Thaçit nga Gjykata Speciale, Qerkini: Nuk ka urdhër arrest për Behramajn

E plotësuar: Ekipet e Speciales kanë kryer bastisje në banesën e Adil Behramajt, i cili ishte këshilltar i ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Avokati i Behramajt, Artan Qerkini ka deklaruar se kjo është bërë me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara dhe lidhet me një pretendim të Prokurorisë se Specializuar për një vepër penale që sipas tyre është brenda juridiksionit të këtyre dhomave.


Pas përfundimit të bastisjes, Qerkini ka thënë se nuk ka urdhër arrest për Behramajn.

“Sot me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara është bastisur banesa e zoti Adil Behramaj në lidhje me një pretendim të Prokurorisë së Specilaizuar për një vepër penale e cila sipas tyre është brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara. Mbrojtja e ka parë vendimin, e ka bërë një vlerësim fillestar të tij. Mendojmë se ky vendim në disa pika është i përfshirë në shkelje kushtetuese mirëpo ne këto çështje do t’i adresojmë në momentin e duhur procedural”, ka thënë Qerkini.

Ai ka thënë se nuk është specifikuar për çfarë vepre bëhet fjalë derisa ka shtuar se nuk dihet nëse ka lidhje me rastin e Thaçit.

“Nuk është specifikuar, është specifikuar vetëm një hetim për një vepër penale e cila bie sipas tyre nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara …. Është shumë herët të thuhet një gjë e tillë, ata nuk kanë dhënë komente se për çfarë hetimi bëhet fjalë, zoti Behramaj nuk është njoftuar as për shkakun as për bazën e akuzave potenciale kundër tij. Kështu është fazë shumë e hershme e hetimit dhe këto informata nuk i janë dhënë mbrojtjes, për këtë arsye nuk dëshirojmë të spekulojmë”, ka thënë Qerkini.

Para mediave ka daluar edhe Adil Behramaj i cili nuk ka dashur të komentojë rastin.

“Po rezervohem prej komentimit kështu që fjalën po ja kaloj avokatit Artan Qerkini”, ka thënë shkurt Behramaj.

Bastisja në banesën e Behramajt ka filluar rreth orës 08:30 dhe ka zgjatur dhjetë orë.

Rreth këtij operacioni nuk kanë folur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjatë operacionit janë parë ekipe të EULEX-it ndërsa jashtë ndërtesa është ruajtur nga pjesëtarë të Policisë se Kosovës.

​Vazhdon bastisja në banesën e Adil Behramajt

Avokati Artan Qerkini ka deklaruar se bastisja në banesën e këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi është duke vazhduar.

Ai nuk ka treguar detaje rreth këtij operacioni veçse ka theksuar se të gjitha do të bëhen të ditura pasi të përfundojë bastisja.

“Bastisja është në rrjedhë e sipër, pas përfundimit të saj do të deklarohemi në tërësi ne lidhje me atë se çfarë ka ndodhur. Më lejoni të shkoj te vendi ku është duke u zhvilluar bastisja pastaj do të ju japim informata më të hollësishme. E gjithë kjo do të bëhet e ditur në fund të këtij procesi”.

Gjykata Speciale bastis banesën e ish-këshilltarit të Thaçit, Adil Behramaj
Lexo po ashtu Gjykata Speciale bastis banesën e ish-këshilltarit të Thaçit, Adil Behramaj

“Bastisja është duke ndodhur në banesën e zotit Behramaj”, ka thënë Qerkini derisa ka hyrë në objektin ku banon Behramaj.

Nga Gjykata Speciale në një deklaratë me shkrim për shkrim për Telegrafin kanë thënë se nuk duan të komentojnë lidhur me hetimet.

“Zyra e Prokurorit Special nuk komenton hetimet e saj”, thuhet në deklaratë.