AVONET dhe 13 organizata të tjera të shoqërisë civile i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

AVONET dhe 13 organizata të tjera të shoqërisë civile i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me kërkesë për ndërmarrjen e veprimeve sipas detyrës zyrtare, lidhur me zbatimin e Aktgjykimit KO124/25.
AVONET njofton qytetarë e Republikës së Kosovës, se kërkesa është dorëzuar pas zhvillimeve të fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, të certifikuara më 8 korrik 2026, afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht 2026.
“Në Aktgjykimin KO124/25, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përbën detyrim kushtetues dhe se brenda këtij afati duhet të përfundojnë të gjitha veprimet kushtetuese që çojnë në konstituimin e plotë të Kuvendit. Sipas këtij interpretimi, mbajtja e një seance që nuk përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit nuk nënkupton se Kuvendi është konstituuar.
Në këtë rast, seanca konstituive e mbajtur më 6 gusht 2026 nuk ka përfunduar me konstituimin e plotë të Kuvendit, ndërsa vazhdimi i saj është caktuar për 8 gusht 2026, pra pas përfundimit të afatit 30-ditor”, thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, AVONET dhe organizatat e tjera nënshkruese i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të vlerësojë nëse Aktgjykimi KO124/25 është zbatuar në përputhje me përcaktimet e tij dhe brenda afatit të përcaktuar.
AVONET thekson se kërkesa është mbështetur në Rregullin 60 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton procedurën që ndiqet në rastet kur lind çështja e moszbatimit të një vendimi të Gjykatës.
“Në këtë kuadër, organizatat kanë kërkuar që, nëse konstatohet moszbatimi i Aktgjykimit KO124/25, Gjykata të ndërmarrë veprimet e parapara me Rregulloren e saj, përfshirë nxjerrjen e Aktvendimit për moszbatim, gjegjësisht për mospërmbarim dhe ndërmarrjen e hapave të tjerë që i konsideron të nevojshëm sipas kompetencave dhe procedurave në fuqi.
Për qytetarët, kjo çështje ka rëndësi të veçantë sepse lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e institucioneve të zgjedhura dhe me respektimin e rendit kushtetues. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim për institucionet dhe garanton që proceset politike dhe institucionale të zhvillohen brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta dhe rendi juridik”, thuhet tutje.
AVONET thekson se kërkesa e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese synon që çështja e zbatimit të Aktgjykimit KO124/25 të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë dhe procedurave të përcaktuara me rendin juridik. Qëllimi është të sigurohet qartësi juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. /Telegrafi/
Rrjeti i OJQ-ve AVONET
KMDLNJ
Shl Kosova
Advocacy Center for Democratic Culture - ACDC
CCNO
OJQ Pishtaret
Organizata Kosova - Women 4 Women
LDA Kosova
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore - CSGD
Instituti për Studime Evropiane Globale - ISEG
Instituti për Politika Sociale, Promovim dhe Mbrojtjen të të Drejtave të Njeriut - IPSDMNJ
OJQ Akademia
OJQ Pontis
OJQ VLD








































