Valais Cup, Serbia reagon për paraqitjen e Kosovës me himn e flamur

Express njofton se kryetari i FFS-së, Tomislav Karadzic, ka bërë të ditur për mediat serbe se do të kërkojnë nga ambasada e tyre në Zvicër një raport të gjerë nga turneu. Sipas tij, nëse vërtetohet se në këtë turne janë shkelur procedurat e vendosura nga FIFA, përkatësisht nëse përfaqësuesja e Kosovës U-21 është paraqitur në këtë turne me flamur dhe himn, do të paraqitet edhe denoncimi.
“FIFA para dhjetë muajsh në Tokio ka vendosur që të gjitha përfaqësueset e reja të Kosovës, jashtë territorit të krahinës sonë, mund të luajnë ndeshje jozyrtare kundër shteteve të cilat e kanë pranuar. Jozyrtare do të thotë që të mos intonohet himni dhe të mos shfaqet flamuri shtetëror. Do t’i drejtohemi ambasadës tonë”.
“Nëse nuk janë shfaqur flamuri, stema dhe nuk është intonuar himni, atëherë organizatorët nuk kanë bërë lëshime. Në të kundërtën, do të paraqesim një letër proteste kundër Federatës zvicerane të futbollit në FIFA”, citon Sportski Zhurnal fjalët e Karadzic.
Kosova në turneun e Zvicrës ku morën pjesë edhe Brazili, Gana e Egjipti është paraqitur me flamur dhe himn, derisa në ndeshjen e parë kundër Ganës ka humbur pas penalltive 5:4 (2-2 në kohën e rregullt), kurse është mposhtur me rezultat të thellë nga Egjipti, 0-8. /Telegrafi/




















































