Vajza e ish-presidentit të Afrikës së Jugut akuzon motrën për komplot rekrutimi nga Rusia

Një nga vajzat e Jacob Zuma, ish-presidentit të Afrikës së Jugut, ka ngritur një padi penale kundër motrës së saj, duke e akuzuar atë për rekrutimin e burrave nga Afrika e Jugut për të luftuar në luftën Rusi-Ukrainë.
Nkosazana Zuma-Mncube pretendoi se Duduzile Zuma-Sambudla, e cila shërben si deputete, dhe dy të tjerë mashtruan 17 burra që të luftonin për mercenarët rusë, transmeton Telegrafi.
Burrave iu tha se po udhëtonin për në Rusi për t'u trajnuar si truproja për partinë politike të Jacob Zuma-s, Mkhonto Wesizwe (MK), thuhet në deklaratën e Zuma-Mncube.
Policia thotë se po heton çështjen, ndërsa Zuma-Sambudla, 43 vjeç, nuk i është përgjigjur kërkesës së BBC-së për koment.
Qeveria e Afrikës së Jugut më parë tha se kishte marrë thirrje alarmi nga 17 qytetarë, që ishin bashkuar me forcat mercenare në konfliktin Rusi-Ukrainë.
Burrat, të moshës 20 deri në 39 vjeç, u joshën të bashkoheshin me forcat mercenare me pretekstin e kontratave fitimprurëse, tha qeveria.
Afrika e Jugut ka një shkallë papunësie prej më shumë se 30%. Papunësia tek të rinjtë është edhe më e lartë, duke i bërë ata veçanërisht të prekshëm nga rekrutimi, thonë analistët.
Zuma-Mncube tha se kishte një "detyrim moral" të paraqiste një padi në polici kundër motrës së saj më të vogël.
Më parë këtë javë, media financiare ndërkombëtare Bloomberg, raportoi akuza të ngjashme kundër Zuma-Sambudla dhe tha se disa burra ishin rekrutuar edhe nga Botsvana fqinje.
Akuzat i shtohen problemeve ligjore të Zuma-Sambudla - ajo është aktualisht në gjyq për akuza të lidhura me terrorizmin.
Deputetja po ndiqet penalisht për komentet që bëri në mediat sociale katër vjet më parë gjatë protestave vdekjeprurëse në Afrikën e Jugut, pas arrestimit të babait të saj.
Një javë anarkie në disa pjesë të vendit në korrik 2021, duke përfshirë plaçkitje dhe zjarrvënie, la të paktën 300 persona të vdekur.
Zuma-Sambudla është akuzuar për nxitjen e këtyre trazirave, por ajo thotë se akuzat kundër saj janë të motivuara politikisht.
Jacob Zuma u burgos për shpërfillje të gjykatës për shkak se refuzoi të merrte pjesë në një hetim mbi akuzat për korrupsion gjatë presidencës së tij që çuan në shkarkimin e tij.
Më pas ai formoi partinë MK dhe e udhëhoqi atë në vendin e tretë në zgjedhjet e vitit të kaluar. /Telegrafi/



































