LAJMI I FUNDIT:

UT përforcon bashkëpunimin me universitetet nga Turqia

UT përforcon bashkëpunimin me universitetet nga Turqia

Profesoresha e Fakultetit të Shkencave të Shëndetit, Neriman Inanç, nga Universiteti ,,Nuh Naci Yazgan” nga Republika e Turqisë e vizitoi Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të Universitetit të Tetovës, me ç’rast para stafit akademik dhe studentëve të këtij fakulteti mbajti një ligjëratë, me temë ,,Të ushqyerit e shëndetshëm”, raporton Telegrafi Maqedoni.

Inanç tha se për të pasur një shëndet të mirë duhet t’i kushtohet shumë rëndësi cilësisë së ushqimit. Ajo tha se të ushqyerit në mënyrë të rregullt dhe të shëndetshëm, duke i dhënë organizmit të gjitha elementet e nevojshëm ushqyese, si dhe aktivitetin e duhur fizik, sigurisht që të gjitha këto komponenta do ta bëjnë organizmin tonë të shëndetshëm.


Pas përfundimit të ligjëratës, dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të Universitetit të Tetovës, Prof. Xhezahir Idrizi, profesoreshës Neriman Inanç nga Departamenti i të Ushqyerit dhe Dietës i Fakultetit të Shkencave të Shëndetit në Universitetin ,,Nuh Naci Yazgan”, në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin dhe mbështetjen që ajo i jep fakultetit tonë, i ndau një mirënjohje. /Telegrafi/