Dosja voluminoze e Prokurorisë Speciale për rastin e sulmit terrorist në kanalin ‘Ibër- Lepenc’ në Zubin Potok ka vënë në pah edhe të kaluarën e Jovan Viçentijeviqit, i cili po pretendohet deri më tani në bazë të provave dhe materialeve që kanë siguruar institucione vendore e ndërkombëtare që ishte ai që ndezi fitilin e tritolit në mbrëmjen e 29.11.2024.

Dosje elektronike, shtëpiza kompjuteri e telefona ishin marrë e ekzaminuar për t’u trajtuar dhe për të nxjerrë të dhëna e informacione të cilat do të përdoreshin për ngritjen e aktakuzës nga ana e prokurorit special Bekim Kodraliu, në rastin e sulmit terrorist në kanalin ‘Ibër-Lepenc’.


Në dosjen që ishte gjetur nga sekuestrimi i një shtëpize të kompjuterit ishin identifikuar fotografi, video e dokumente të cilat inkriminojnë Jovan Viçentijeviqin edhe në pjesëmarrje të grupeve të dyshimta e madje edhe të shpallura si terroriste në Kosovë.

Në një video që ishte identifikuar, prokuroria hasi në Jovan Viçentijeviqin në një vend malor, i uniformuar dhe i armatosur me kallashnikov e dy zolla.

Zona mbrapa shihej malore ende e panjohur për institucionet e vendit, ndërsa Viçentijeviq shihej derisa manovronte dhe modifikonte një zollë, e cila konsiderohet armë e rrezikshme luftarake.

Madje të njëjtat armë ishin gjetur dhe sekuestruar edhe gjatë kontrollimit të shtëpisë së të pandehurit.

Po ashtu KALLXO.com raportoi edhe se si Jovan Viçentijeviq pretendohet se kishte arritur që të ketë qasje në një dokumentin 66-faqësh konfidencial të KFOR-it e ku përshkruhej situata e sigurisë tek ‘Kroi i Vitakut” në Mitrovicë gjatë vitit 2009.

Fotografi të tjera të cilat përmenden në aktakuzën tashmë të ngritur nga Prokuroria Speciale, tregojnë Viçentijeviq në një ambient të hapur në fushë i veshur në uniformë ushtarake duke manovruar me armë të ndryshme, me dylbi gjatë vëzhgimit në terren.

Fotografi të ngjarjeve të vitit 2011 gjatë sulmeve në pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, fotografi të barrikadave, fotografi të ngjarjeve të vitit 2004, fotografi të krerëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, emra të shumë shqiptarëve, fotografi të ndryshme të vendeve në Kosovë që kishte vizituar Jovan Viçentijeviq ishin gjetur po ashtu brenda shtëpizës së kompjuterit.

Një fotografi tjetër që ishte gjetur ishte edhe ajo e Jovan Viçentijeviq me disa armë, uniformën ushtarake, anti-plumba me ata të njëjtë që ishin gjetur në rastin e sulmit terrorist në fshatin Banjskë më 24.09.2023.

Një tjetër çështje është edhe ajo e ushtrimeve që Jovan Viçentijeviq i ka përmendur me një grup të gjerë në bazën “Pasulancke Lidave’.

Në bazë të asaj çka pretendohet në aktakuzë, Viçentijeviq kishte theksuar se pas një përfundimi të një trajnimi me datë 23.09.2022, me një autobus në mënyrë të organizuar kanë udhëtuar për në Rashkë, pastaj në Novi Pazar, aty kanë pushuar për një kohë e janë ushqyer e më pas së bashku me Milovan Vlaskoviq, Milosh Orloviq dhe një person tjetër me nofkën “Uço” kanë hyrë brenda një automjeti dhe përmes rrugëve ilegale kishin hyrë në territorin e Kosovës dhe kishin shkuar në Zubin Potok.

Në bazë të dëshmisë gjithmonë, Viçentijeviq kishte thënë se në sulmin dhe luftimet në Banjskë të Zveçanit, me datë 24.09.2023 nga zona e Zubin Potokut kanë marrë pjesë edhe disa persona.

Viçentijeviq kishte përmendur edhe një sulm tjetër që ishte planifikuar që të ndodhte në tetor 2024 por ishte parandaluar nga Milan Radojiqiq, ai që mori përsipër edhe sulmin në Banjskë.

Në kampin për të cilën kishte folur Viçentijeviq kishte thënë edhe se nuk lejohej përdorimi i telefonit, e për këtë kishin leje vetëm dy persona.

Madje ai kishte përmendur edhe se kishte arritur që të identifikonte persona nga Zubin Potoku që kishin marrë pjesë në këtë trajnim, duke specifikuar edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që kishin ofruar dorëheqjen e tyre në dhjetor të vitit 2022.

Gjithashtu, një tjetër çështje që kishte thënë Jovan Viçentijeviq ishte edhe për përgjegjësit e “Mbrojtjes Civile”, të cilët kishin përgjegjësi të zonave të ndryshme në veri. Jovani kishte përmendur Millosh Milovanoviq të njohur si “Grizli” nga fshati Varagë si përgjegjës i ‘Mbrojtjes Civile’ të zonës së Zubin Potokut e që i njëjti kishte lidhje me Millan Radojiçiq.

Të gjitha këto të dhëna Jovan Viçentijeviq i kishte thënë gjatë transportimit të tij nga Mitrovica e Veriut për në Prishtinë dhe pastaj gjatë dërgimit të tij në Qendrën e Paraburgimit më 03.1202025.

Ai kishte biseduar me zyrtarët policorë e madje kishte dhënë edhe informacione për veprimtarinë e tij të kundërligjshme e poashtu edhe për persona të tjerë të involvuar.

Në kampin për të cilin e kishte përmendur Jovani, kishin qenë duke kryer ushtrimin dhe duke u trajnuar rreth 120 persona nga veriu i Kosovës, të gjithë të nacionalitetit serb. Në një grup tjetër në përdorimin e eksplozivëve, kishin qenë 12 persona, të cilët janë trajnuar ndaras në të njëjtin kamp.

Sipas Viçentijeviqit, në bisedën e tij me zyrtarët policorë kishte thënë se një grup tjetër nga Leposaviqi në kamp kishin ushtruar dhe ishin trajnuar për përdorimin e minahedhësve.

Jovan Viqentijeviq është njëri nga të dyshuarit kryesor për sulmin terrorist të kryer në nëntor të vitit 2024 në kanalin e ujit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”.

Ai dyshohet të jetë personi që ndezi fitilin e tritolit që shpërtheu në kanalin e “Ibër- Lepencit”.

I pandehuri sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës kishte njohuri për sistemin e ujësjellësit pasi që figuron se ishte i punësuar në Sistemin Rajonal të Furnizimit me Ujë në Ujman.

Kështu shkruan në aktakuzën e PSRK-së, të ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu më datë 09.12.2025.

Më 29.11.2024, një shpërthim i fuqishëm ishte regjistruar në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

Shpërthimi ishte regjistruar në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”, i cili konsiderohet infrastrukturë kritike që shërben për furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Kosovës.

Për shpërthimin në këtë kanal ishin përdorur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT.

Në dosjen e prokurorit Kodraliu thuhet se ky lloj i eksplozivit, që shërben për përdorim ushtarak, u vendos në kanal dhe shkaktoi dëme edhe financiare por edhe në ujin e pijshëm për disa zona të cilat furnizoheshin përmes kanalit.

Madje shpërthimi dhe dëmet që shkaktoi rrezikoi furnizimin me ujë edhe të termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës, me çka u rrezikua edhe prodhimi i energjisë elektrike në vend.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Jovan Viqentijeviq, Dragisha Viqentijeviq dhe Igor Dimoviqit në lidhje me sulmin terrorist me eksploziv në kanalin e “Ibër-Lepencit” më 29.11.2024.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Viqentijeviq janë personat që kanë shpërthyer kanalin e “Ibër- Lepencit” përmes vendosjes së një çante me eksploziv.

Në aktakuzën që ka siguruar KALLXO thuhet se Prokuroria Speciale në bashkëpunim me FBI-në amerikane kishin arritur që të gjenin prova që do të çonin në arrestimin e vëllezërve Viqentijeviq.

Sipas dosjes, në kohën kur ishin arrestuar të dyshuarit ishte marrë për ekzaminim dheu i cili ndodhej në çizmet e të arrestuarve në atë kohë dhe ishte marrë si mostër dheu në oborrin e të dyshuarve. Gjithashtu për krahasim kishin marrë edhe dheun i cili ndodhej pranë kanalit të “Ibër-Lepencit”.

Ngjashmëria e dheut, sipas PSRK, vërteton se të akuzuarit kanë qenë prezentë në vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe ata kanë qenë personat që e kanë shkatërruar një pjesë të kanalit.

Por, ky konstatim vjen nga një institucion ndërkombëtar, më saktësisht konfirmimi i FBI thot se dheu i gjetur në këpucët e të akuzuarve është i njëjti me dheun i cili ishte marrë për ekzaminim në vendin ku kishte ndodhur shpërthimi.

“Dheu i çizmeve të sekuestruara në shtëpinë e vëllezërve Viqenjtijeviq dhe ajo në fshatin Përvlak të kësaj komune më datë 30.11.2024 së bashku me mostrat referente të dheut të siguruara nga ekspertët policorë të Kosovës dhe FBI të marra në vendin e ngjarjes… Nga mostrat qartazi vërehet se në mes të dheut të marrë në çizmet e të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq dhe mostrave të dheut të marra në vendin e ngjarjes, më konkretisht në kanalin “Ibër-Lepenc” nuk ka dallueshmëri… çka vërtetohet se të pandehurit kanë kryer aktin terrorist” – thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Sipas aktakuzës, Jovan e Dragisha Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Kurse i akuzuari për spiunazh Jovan Viqentijeviq, sipas Prokurorisë, është pjesë e shërbimit informativ ushtarak të Serbisë, që sipas Prokurorisë ka ndihmuar këtë shërbim duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara që t`i përdorë për aktivitetin e tij të kundërligjshëm në Kosovë.

Në dosjen e PSRK-së përmenden veprimet të cilat ngarkojnë Jovan Viqentijeviqin edhe me veprën penale të spiunazhit.

Gjithmonë sipas dosjes së PSRK-së, Jovan Viqentijeviq nga një kohë e pacaktuar e mëparshme deri më 01.12.2024, ishte pjesë e shërbimit të huaj informativ, në këtë rast të shërbimit informativ ushtarak të Serbisë, me gradën e kolonelit dhe kishte vepruar e ndihmuar këtë shërbim duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

Dokumentet e informacionet që pretendohet që kishte mbledhur Jovan Viqentijeviq dyshohet se i kishte ofruar në vizitat e takimet që kishte realizuar në Serbi me pjesëtarët e Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë duke përdorur spiunazhin.

Dosja përmend edhe një dokument të klasifikuar 66-faqësh të përpiluar nga KFOR-i të cilin i akuzuari tashmë e kishte siguruar nga veprimtaria e spiunazhit. E këto informacione të marra nga KFOR ishin për nevojat operacionale të tyre në terren ndërsa Viqentijeviq në bazë të dosjes kishte vëzhguar ushtarakët e KFOR-it amerikan.

Tutje dosja tregon edhe se si Viqentijeviq kishte fotografuar edhe bazën e Njësive Speciale policore të Kosovës e cila gjendet në Jasenovik në Zubin Potok. Me të gjitha këto të dhëna që kishte marrë dosja shpjegon se i akuzuari tashmë me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për Kosovën te bashkësia ndërkombëtare me anë të një raporti kishte tentuar të paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar dhe Mbrojtja e Trojeve Shqiptare”. Këtë Veqentijeviq sipas dosjes së Prokurorisë e kishte shoqëruar edhe me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në aktakuzë tashmë, Prokuroria Speciale ka vendosur edhe dëshmi që vërtetonin edhe se si Viqentijeviq ishte i rekrutuar nga shërbimi sekret ushtarak i Serbisë.

Ai në disa dokumente figuron si zyrtar i inteligjencës ushtarake të ushtrisë së Serbisë.

Dosja tregon edhe se si Viqentijeviq kishte përpiluar edhe një dokument duke shpërndarë dezinformata dhe duke nxitur edhe veprime ndaj prezencës së KFOR-it në Kosovë, duke deklaruar se misioni është i njëanshëm në misionin e tij, kinse ka ndihmuar Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës në aktivitetet e tyre në veri.

“Miq, nëse ndonjëri prej jush dyshon për paanshmërinë e KFOR dhe se gjërat ndodhën rastësisht, ja një provë e drejtpërdrejtë se sa naivë jeni. Gjithçka ishte e parapërgatitur dhe e koordinuar me Gjeneralin Biller dhe komandën e KFOR-it. Helikopterë kroat të KFOR-it transportuan policë të ROSU-së në Jarinje dhe mbrapa. Le të jetë një mësim për ne. Dërgoni këto foto të gjithë miqve tuaj veçanërisht të huajve, gazetarë, postojini ne faqet e Facebook-ut. Le të mësojnë sa më shumë njerëz për sfondin e vërtetë të ngjarjeve në veri.”- kështu përshkruhet dokumenti që pretendohet se bëri Viqentijeviq e që tregon edhe veprimet inkriminuese të tij për rolin e vëzhguesit operativ, të fotografimit të masës protestuese dhe vëzhgimit me dylbi.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ‘Ibër-Lepencit’ më 29.11.2024.

Sipas njoftimit të PSRK-së, aktakuza është ngritur ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe ndaj Igor Dimoviq për veprën penale të spiunazhit, armëmbajtje pa leje dhe rrezikim i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmitimin e instalimeve dhe pajisjeve publike.

“Pokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria Kundër Terrorizmit, dhe me partnerët evropianë ka ngritur aktakuzë ndaj J. V., D. V., dhe I. D. për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe ‘Spiunazh.’”- thuhet në njoftimin e PSRK-së.