LAJMI I FUNDIT:

Uragani Florence shkakton viktima

Uragani Florence shkakton viktima

Uragani Florence ka shkaktuar tre viktima: mes tyre një nënë me fëmijën e saj, që u goditën nga një pemë.

Të premten uragani u dobësua në një stuhi të kategorisë së parë, por metereologët thonë se ai përsëri e ka fuqinë për të dhënë goditje vdekjeprurëse në zonat ku kalon. Shtetet e brigjeve lindore të Amerikës tashmë kanë marrë masat e nevojshme për të përballuar stuhinë.


Syri i Uraganit Florence të premten lëvizi drejt brigjeve, duke sjellë me vete erëra të forta dhe shira në Karolinën e Veriut dhe atë të Jugut. Shpejtësia e erës arriti në 120 kilometra në orë.

Rreth 600 mijë banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.

Sipas zyrtarëve, gjysëm milionë njerëz, mbetën të premten pa energji elektrike.

Qendra Kombëtare e Uraganëve thotë se Florence tashmë ka shkaktuar stuhi të rrezikshme për jetën e njerëzve në brigjet e Karolinës së Veriut.

”Me ardhjen e stuhisë së fuqishme që shkakton dallgë të mëdha në oqean, lumenjtë që derdhen atje do të tejmbushen, duke shkaktuar përmbytje në zonat përreth”, tha Guvernatori i Karolinës së Veriut Roy Cooper.

Metereologët thonë se më tepër se sa fuqia e stuhisë, shqetësim përbën lëvizja e ngadaltë e saj.

Presidenti Donald Trump tha se qeveria është e përgatitur për të përballuar Florencën; ekipet e ndihmës së shpejtë dhe të emergjencave për rastet e fatkeqësive, janë në gatishmëri të plotë.