LAJMI I FUNDIT:

Ura në Osijek shkëlqeu me ngjyrat e flamurit të Kosovës – si mbështetje në luftën kundër coronavirusit

Ura në Osijek shkëlqeu me ngjyrat e flamurit të Kosovës – si mbështetje në luftën kundër coronavirusit

Derisa bota po përballet me coronavirusin, edhe solidariteti nuk ka munguar.

Dhe kur flasim për solidaritet, ai është i mënyrave të ndryshme – që nga ndihma me para, pajisje mbrojtëse – duke mos munguar edhe ajo morale.


Kështu është duke vepruar edhe një qytet në Kroaci, i cili përmes ndriçimit të një ure të famshme të qytetit, po solidarizohet me vendet e prekura, përcjell Telegrafi.

Ura e këmbësorëve në atë qytet kroat ka shkëlqyer me ngjyrat e disa prej flamujve të disa vendeve të botës, përfshirë edhe atë të Kosovës.

Kjo është bërë e ditur edhe nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

“Qyteti i binjakëzuar me Prizrenin, Osijeku i Kroacisë, në shenjë të miqësisë tonë dhe solidaritetit në këtë kohë të pandemisë, ka ndriçuar monumentin më të famshëm të qytetit me ngjyrat e flamurit shtetëror të Kosovës”.

“Falënderoj përzemërsisht kryetarin e Komunës së Osijekut, z. Ivan Vrkić, për mbështetjen e cila është mjaft domethënëse në këto ditë të vështira ku po kalon e gjithë bota nga kriza shëndetësore e pandemisë”.

“Shpresoj që këtë krizë ta tejkalojmë së bashku sa më parë dhe të kemi bashkëpunim edhe më të fortë për t’u rimëkëmbur”, ka shkruar Haskuka në Facebook. /Telegrafi/