LAJMI I FUNDIT:

Ukrainasi që e vëren stagnimin shqiptar, përmes njerëzve që rrinë në kafe – veshur me kostum

Ukrainasi që e vëren stagnimin shqiptar, përmes njerëzve që rrinë në kafe – veshur me kostum
Nikita Savin (foto: Ben Blushi)

Nga: Ben Blushi

Nikita Savin është nga Ukraina. Kur filloi lufta erdhi në Orikum. Aty jeton në një vilë me qira.


– Si erdhe në Shqipëri Nikita?

– Fillimisht shkova në Portugali,

– Po pastaj?

– Aty s’më pëlqeu, erdha këtu,

– Si të duket Shqipëria?

– Vend tradicional.

– Pse të duket tradicional?

– Duket si Ukraina e viteve 1990.

– Po pse duket si Ukraina e viteve 1990?

– Sepse ka një zhvillim të ngadalshëm.

– Ku e ke parë zhvillimin e ngadalshëm?

– Njerëzit rrinë në kafe të veshur me kostum.

– Dhe kur njerëzit rrinë në kafe veshur me kostum, vendi është i ngadalshëm?

– Këtu marrëveshjet bëhen me një të shtrënguar dore.

– Dhe kjo është tradicionale?

– Kjo tregon se në Shqipëri reputacioni ka ende vlerë.

– Ti çfarë pune bën?

– Jam programer softuerësh.

– Sipas teje pse po ndodh kjo luftë?

– Është një luftë mes botës së vjetër dhe botës së re.

– Kush është bota e vjetër?

– Anglezët dhe amerikanët.

– Po bota e re?

– Rusia, Kina, India, Brazili.

– Po pse lufta mes dy botëve po bëhet në Ukrainë?

– Diku do shpërthente, mund të ishte edhe India apo Pakistani.

– Po atëherë pse Ukraina?

– Sepse India dhe Pakistani ka armë bërthamore, Ukraina nuk ka.

– Si përfundon kjo luftë?

– Rusia ndahet.

– Çdo të thotë: Rusia ndahet?

– Kina do i marrë Siberinë, Japonia do i marrë disa ishuj, Rusia do copëtohet si në kohën e Bashkimit Sovjetik.

– Po me Ukrainën çfarë ndodh?

– Do mbijetojmë.

– Nga je me origjinë?

– Babai nga Siberia, nëna nga Uzbekistani.

– Pra, je gjysmë rus?

– Si shumica e ukrainasve.

– Sa fëmijë ke?

– Katër.

– Këtu shoh vetëm tre.

– Këta të tre i kam me gruan e parë.

– Ke dhe një grua tjetër?

– Aktualisht po.

– Pse je ndarë?

– 90 për qind e martesave të sotshme përfundojnë me divorc.

– Po gruaja e dytë pse nuk është me ty?

– Ka disa arsye.

– Më thuaj një.

– Është ne Paris me nënën dhe vajzën tonë.

– Po arsye e dytë?

– Nuk ka qejf të jetojë më fëmijët e mi nga martesa e parë.

– Ka edhe një arsye të tretë?

– Pa e mbushur shtëpinë me pasqyra nuk vjen.

– Çfarë i duhen kaq shumë pasqyra?

– Është balerinë

– Ti je martuar me një balerinë?

– Tani është mësuese vallëzimi.

– Sa kile je Nitika?

– 175.

– Po si të ka marrë balerina për burrë?

– Për këtë grindem çdo ditë me gruan.

– Çfarë kërkon ajo?

– Të shkoj në 120 kile.

– Mund ta bësh?

– Para pesë vitesh isha 90 kile.

– Po para 10 vitesh?

– 195.

– Kaq shumë ha?

– Nuk shëndoshem nga ushqimi.

– Po nga se shëndoshesh?

– Nga qëndrimi në kompjuter dhe nga stresi.

– Ke stres?

– Stresi disa njerëz i acaron, disa i dobëson, mua më shëndosh.

– Si mund të jetosh me këtë peshë?

– Jetoj.

– A noton?

– Notoj.

– I jep makinës?

– I jap.

– A ngjitesh dot në kat të tretë?

– Ja tani do ngjitem.

– Pse do ngjitesh?

– Do vendos pasqyrat e palestrës së gruas.

– Pra, ti po vendos pasqyra që gruaja të shihet kur kërcen?

– Sigurisht.

– Po ti kërcen?

– Nuk e kam shumë qejf.

– Po nëse gruaja të kërkon të kërcesh?

– Prandaj do dobësohem.

– Sa kohë ke që të dobësohesh?

– Besoj një muaj.

– Me kirurgji?

– Jo me kërcim.

– Për një muaj do heqësh 50 kile nga trupi?

– S’kam ç’bëj, ndryshe do më lërë.

– Po ti do martohesh prapë?

– Nuk e përjashtoj.

– Më mirë të ndahesh apo të kërcesh?

– Ti si thua? – tha Nikita.

– Më mirë të ndahesh – thashë unë.

– Më mirë të kërcej – tha Nikita.