LAJMI I FUNDIT:

Ukraina ka nevojë për ndihmë më të madhe

Ukraina ka nevojë për ndihmë më të madhe
Ilustrim

Një raund tjetër bisedimesh, kur u mbush një muaj që pushtuesit rusë vazhdojnë luftimet në Ukrainë. Të ashtuquajturat marrëveshje për armëpushim vetëm emrin kanë pasur të tillë, sepse forcat ushtarake ruse nuk i kanë respektuar ato, duke u marrë jetën civilëve të pafajshëm dhe të paarmatosur ukrainas.

Rrënoja të dukshme plotësojnë më tej këtë kuadër të përgjakshëm. Sipas Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, mijëra ushtarë rusë kanë humbur jetën, së toku me shkatërrimin e qindra mjeteve të blinduara. Në veri të Kievit luftimet janë rritur. Mediat botërore paraqesin përherë pamje të tilla. Dhe ku? Në mes të Evropës … Ukrainasit nuk mund ta humbasin pavarësinë. Prandaj, dhe janë të vendosur të luftojnë deri në fund.


Përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qëndrimeve të saj të vendosura, shtete të tjerë të kontinentit tonë nuk kanë mbetur thjesht në deklarata solidariteti në mbrojtje të Ukrainës. Nga ana tjetër, fakti që vende të tjera të Perëndimit vazhdojnë të importojnë naftë dhe gaz nga Rusia flet shumë. Në këtë mënyrë, sanksionet mbeten më shumë të ngurosura në deklaratat e mësipërme, teksa banorët e Ukrainës derdhin gjak dhe uria e Putinit për më shumë vrasje dhe shkatërrime, shtrihet dhe më tej, duke iu kanosur pikërisht këtyre vendeve apo fqinjëve të tyre. Tani, më tepër se kurrë, Ukraina ka nevojë për mbështetje të gjithanshme.

Ja pse zyrtarë të njohur të administratës amerikane e shikojnë përgatitjen e “strategjisë së përbashkët të energjisë”, që pritet të bëhet menjëherë e njohur si “hap domethënës përpara në përshpejtimin e diversifikimit të Evropës larg gazit rus”. Sigurisht, përmasat e kësaj do të rëndojnë dhe në ekonominë e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët, megjithatë, mund të gjenin rrugë dhe alternativa të tjera, pavarësisht mungesës së përgatitjes për këtë qëllim. Dhe jo me thonjtë e gatshëm të Rusisë në grykën e tyre apo duke mbetur në varësi të saj. NATO-ja, pas hapave të mefshtë të fillimit, sipas Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i kësaj Aleance, në fjalën e djeshme në Bruksel, tani duket një realitet i ri i sigurisë dhe mbështetja e saj të trupëzohet në më tepër furnizime luftarake, mbrojtje kibernetike, meqë nuk mund të dërgohen trupa.

Andaj, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u kërkoi, përmes një videomesazhi, liderëve të vendeve anëtarë të NATO-s, në takimin e një dite më parë, vetëm një për qind të mjeteve të tyre. Kërkesa të tilla ai i ka bërë dhe më herët, por, siç pohon sërish, “nuk kanë ende një përgjigje të qartë”. Pra, fjala është, se nuk ka kohë për të pritur. Të mos harrojmë. Është NATO-ja që i ka propozuar Ukrainës, qysh në vitin 2008, për anëtarësim në radhët e saj, por që nuk u arrit për arsye të kundërshtimit të vazhdueshëm të Rusisë. Kësaj i përkasin dhe lëvizjet e këtyre ditëve të diplomacisë ruse për t’i prerë, së pari, rrugën përmes kërcënimeve vendeve që aspirojnë anëtarësimin e tyre në Aleancë. Dhe, së dyti, për të motivuar konflikte të mundshme të Rusisë në marrëdhënie të ngushtë me vasalët e saj të njohur.

Kjo, veçanërisht, për vendet joanëtare të rajonit tonë, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Sikurse ka treguar koha, Rusia mbetet po ajo e njohura, si me Malin e Zi, me përpjekjet e orkestruara prej saj gjashtë vite më parë për “grusht shteti” dhe likuidimin e kryeministrit të atëhershëm të kësaj republike, Milo Gjukanoviq. Si edhe sot me Ukrainën. Tashmë, fare hapur dhe në luftë të përgjakshme. Ndaj dhe Evropa kërkohet të jetë më syçelët dhe më unike.