LAJMI I FUNDIT:

Uji i pijshëm shqetëson Maqedoninë

Uji i pijshëm shqetëson Maqedoninë

Rreth 770 mijë njerëz në Maqedoni jetojnë në zonat rurale dhe shpesh ballafaqohen me probleme të cilësisë së ujit të pijshëm, bën të ditur Alsat-M. Arsyet janë nga më të ndryshmet, si mungesa e gardheve rreth infrastrukturës së ujësjellësit, rrjeti i vjetruar dhe i dëmtuar, si dhe pastrimi joadekuat i ujit, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Rreth 60 për qind janë në sisteme lokale të furnizimit me ujë, ku jo gjithmonë ka ndërmarrje komunale që do të kujdeset kryesisht për sigurinë e ujit, dhe ujë i sigurt do të thotë ujë i kloruar dhe objekt furnizues me ujë, i cili ka një zonë mbrojtëse”, tha Gordana Ristovska, Instituti i Shëndetit Publik.


Probleme më të mëdha të furnizimit më ujë të pijshëm ka në komunën Çeshinovë – Obleshevë për shkak të reshjeve të mëdha. Sa i përket rrjeteve urbane të ujësjellësit, burimi në Rashçe të Shkupit është i sigurt edhe pse në afërsi gjeografike ndodhet kombinati Jugohrom.

“Uji i Rashçes akoma nuk është kontaminuar me krom. Kërcënimi ekziston por nuk është kontaminuar ende, përndryshe monitorohet siguria e ujit”, u shpreh Gordana Ristovska, Instituti i Shëndetit Publik. Në nivel botëror rreth 3,6 milion njerëz vdesin çdo vit nga sëmundje që lidhen me ujin e papastër./Telegrafi/