LAJMI I FUNDIT:

Twitter bllokoi përmbajtje të caktuara në Turqi një ditë para zgjedhjeve

Twitter bllokoi përmbajtje të caktuara në Turqi një ditë para zgjedhjeve

Themeluesi i Wikipedia-s Jimmy Wales tha se vendimi i Twitter-it për të bllokuar përmbajtje të caktuara në Turqi një ditë para zgjedhjeve presidenciale ishte i gabuar.

Wales tha për BBC se organizata e tij kishte kaluar dy vjet e gjysmë në gjykatë për të shmangur kërkesa të ngjashme të bëra nga Turqia në të kaluarën, transmeton Telegrafi.


Ai tha se beson se sektori i teknologjisë duhet të qëndrojë së bashku në mbrojtjen e qasjes së lirë në informacion.

Pronari i Twitter-it, Elon Musk tha se Turqia kishte kërcënuar se do të bllokonte të gjithë faqen.

Në vitin 2014, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan bëri pikërisht këtë, duke u zotuar të “fshijë” rrjetin social pasi akuzat për korrupsion në lidhje me administratën e tij u shpërndanë në platformë.

Wikipedia u ndalua gjithashtu në Turqi për gati tre vjet pasi refuzoi të fshinte artikujt që kritikonin qeverinë.

Zgjedhjet në Turqi u mbajtën më 14 maj, mirëpo nuk pati një fitues të qartë derisa pritet të vendoset pas balotazhit më vonë këtë muaj.

Në një postim, Twitter tha se katër llogari dhe 409 postime ishin identifikuar nga qeveria turke me një urdhër gjykate, të cilat firma më pas i kishte bllokuar. Twitter shtoi se do të “vazhdojë të kundërshtojë në gjykatë”.

Përmbajtja është ende e dukshme jashtë Turqisë.

Por Wales tha se Twitter nuk duhet ta kishte lejuar këtë.

“Ne kemi qenë të bllokuar në vende të ndryshme në mbarë botën në periudha të ndryshme, ne kurrë nuk jemi dorëzuar ndaj censurës dhe nuk do ta bëjmë kurrë”, tha ai në podcastin teknologjik të BBC-së Tech Life. /Telegrafi/