Turqia e nis Kampionatin Evropian me fitore drithëruese ndaj Gjeorgjisë

Turqia e ka nisur Euro 2024 me fitore, duke triumfuar 3-1 ndaj Gjeorgjisë në kuadër të Grupit F.
Turqit e dominuan këtë takim, por mbrojta gjeorgjiane ishte shumë e vështirë për t’u thyer në shumë raste.
Mert Muldur e kaloi Turqinë në epërsi, kur realizoi për 1-0 në minutën e 25-të.
Dy minuta më vonë, Kenan Yildiz mendoi se e kishte dyfishuar epërsinë, por që ishte në pozicion jashtë loje.
Më pas, Gjeorgjia i barazoi shifrat në 1-1, kur Georges Mikautadze realizoi në minutën e 32-të me një asistim të Giorgi Kochorashvili.
Pjesa e dytë ishte edhe më spektakolare, kur Turqia e kërkoi me ngulm rikthimin e epërsisë.
Këtë e siguruan falë një super goditje nga ylli i Real Madridit, Arda Guler, që realizoi nga distanca në minutën e 65-të për 2-1.
[related-to url="https://telegrafi.com/arda-guler-realizon-golin-te-bukur-deri-tani-ne-euro-2024/
Deri në fund, Gjeorgjia nuk u dorëzua, mirëpo turqit nuk lejuan befasi, madje vulosën fitoren e tyre kur realizuan për 3-1 në minutën e 90+7-të me anë të Kerem Akturkoglu, që realizoi në portën e zbrazët.
Turqia është aktualisht lidere e Grupit F me tri pikë, ndërsa nga ora 21:00 do të luajnë Portugalia me Çekinë dhe do të përcaktohet se kush do të jetë lider i grupit. /Telegrafi/













































