LAJMI I FUNDIT:

Tuppurainen thotë se Finlanda mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe heqjen e vizave

Tuppurainen thotë se Finlanda mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe heqjen e vizave

Ministrja e Finlandës për çështje evropiane, Tytti Tuppurainen thotë se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është çështja më e rëndësishme e Evropës, në situatën aktuale pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.

Duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se përgjigja e tij karshi reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për letërnjoftim dhe targa do të jetë “vdekjeprurëse”, ministrja finlandeze thotë se çdo retorikë përshkallëzuese është diçka për të cilën ndien keqardhje.


Ajo beson se është koha e duhur që të liberalizohen vizat për Kosovën, derisa tregon se Finlanda është pro anëtarësimit të Kosovës edhe në Këshillin e Evropës dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

“Para së gjithash, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është çështja më e rëndësishme, jo vetëm për vetë rajonin, por edhe për Evropën. Po flasim për fqinjësinë evropiane; prandaj është kauza jonë e përbashkët për të rritur stabilitetin në rajon. Dhe më duhet të them se çdo retorikë përshkallëzuese është diçka për të cilën ndiej keqardhje. Shpresoj që të gjithë të punojnë drejt një mirëkuptimi dhe marrëveshjeje të përbashkët, sepse vetëm përmes bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mund të arrijmë paqen dhe stabilitetin. Besoj se Kosova ka të drejtën ligjore për zgjedhje, por shpresoj që në fund të gjithë ta kuptojnë se duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe të shmangim çdo përshkallëzim”, thotë ajo.

Duke qenë se Serbia është i vetmi vend që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë pas agresionit ushtarak në Ukrainë, Tuppurainen tërheq vërejtjen se vendet duhet të vendosin qartë se cilën anë të historisë mbajnë.

Sipas saj, vetëm një Evropë e bashkuar mund të përballet me Rusinë.

“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, vetëm të bashkuar mund të përballemi me Rusinë. Le të jemi të qartë. Rusia është një autokraci, e cila po bën një luftë, një luftë të pamëshirshme ilegale në Ukrainë. Dhe ne duhet të vendosim se në cilën anë të historisë jemi. A po luftojmë për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, apo jemi ulur në “gardh”? Unë besoj se ne të gjithë duhet të zgjedhim anën dhe të përshtatemi plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Është një domosdoshmëri nëse doni të vazhdoni në negociatat tuaja të zgjerimit dhe anëtarësimit, të cilat ky rajon është aktualisht duke i zhvilluar”, thotë ministrja finlandeze.

Në debatin që u zhvillua të hënën në Parlamentin evropian, komisionari i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhely ka paralajmëruar udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërkohë që të martën nga Komisioni Evropian është thënë se nuk planifikojnë diçka të tillë dhe se vazhdojnë të mbrojnë qëndrimin se Kosova i ka plotësuar kushtet për lëvizje të lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Tuppurainen tregon nëse Kosovës po i bëhet padrejtësi sa i përket lëvizjes së lirë.

“Dua ta bëj shumë të qartë: Finlanda është në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Sigurisht që e meritoni. Të rinjtë tuaj e meritojnë. Kam takuar shumë të rinj kosovarë që janë të etur për të udhëtuar, për të pasur të drejta të barabarta për të udhëtuar. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave. Dhe tani është koha për ta dhënë atë. Finlanda është në favor të kësaj dhe ne kemi punuar drejt qëllimit që Këshilli të arrijë marrëveshjen për liberalizimin e vizave… Unë e shoh Kosovën si pjesë të një rendi shumëpalësh. E mirëpres vendimin tuaj për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Finlanda, mbështet kërkesën tuaj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës”, thotë ajo.

Ministrja finlandeze për çështje të Evropës flet edhe për dialogun Kosovë – Serbi, për çka thotë se beson që është momenti i duhur për ta zgjeruar edhe më tej.

Ajo thekson se nuk i takon vetëm Kosovës të zgjidhë problemet që janë në tryezë.

“Ne besojmë se dialogu është shumë i rëndësishëm. Sigurisht që kjo çështje i takon Kosovës. Merrni vendimet vet. Varet nga ju, si e shfrytëzoni ecurinë e dialogut. Mendoj se tani pas zgjedhjeve serbe, është një moment i ri për të zgjeruar më tej dialogun. BE-ja ka investuar shumë në këtë dialog, duke pasur përfaqësuesin special Lajçak që vepron në këtë fushë dhe ne e mbështesim fuqishëm punën e Lajçakut. Sigurisht, duhen dy për tango. Nuk i takon vetëm Kosovës që të zgjidhë çështjet që janë në tryezë. Por megjithatë, ju mund të jeni forca që po përpiqet për të mirën, që përpiqet për interesin e përbashkët dhe që përpiqet për një marrëveshje të mirë përfundimtare. Sepse në fund ju duhet një marrëveshje e ndërsjellë, për të ecur në rrugën tuaj evropiane. Besoj se Kosova i përket Evropës, bashkëpunimit tonë të ndërsjellë, por ky dialog është diçka që duhet shfrytëzuar maksimalisht. Kështu që ju inkurajoj, por e kuptoj plotësisht se i takon Kosovës të bëjë zgjedhjet e saj”, thotë ajo.

Ajo tregon për KosovaPress edhe qëndrimin e Finlandës për Ballkanin e Hapur.

“Varet nga ju që të vendosni për fatin tuaj. Unë nuk jam këtu si ministër për t’ju thënë se çfarë duhet të bëni. Nëse mendoni se Ballkani i Hapur, krijon një lloj vlere të shtuar për ju, atëherë sigurisht që duhet të shfrytëzoni mundësinë, por nëse mendoni se ka mjete të tjera që janë më të mira për ju, atëherë sigurisht që ju takon t’i përdorni ato. Ekziston nisma e përbashkët e tregut rajonal që lehtësohet nga Procesi i Berlinit”, thekson ajo.

Sipas saj, Finlanda mbetet e përkushtuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Sigurisht që ka vend për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit tonë. Tashmë janë 10,000 kosovarë që jetojnë në Finlandë, kështu që është një diasporë mjaft e madhe dhe mendoj se shumë prej tyre e njohin Finlandën shumë mirë, dhe sigurisht që e njohin shumë mirë atdheun e tyre, kështu që ndoshta mund të përdorim njohuritë e tyre për vendet tona, në mënyrë që të përmirësojmë bashkëpunimin tonë ekonomik. Nëse mund të bëjmë diçka në ambasadën tonë këtu, ose nëse mund të bëj diçka për t’i dërguar një mesazh qeverisë sonë, në mënyrë që të promovojmë lidhjet tona të biznesit, do të isha e lumtur ta bëja këtë. Besoj se kemi kaq shumë për të bërë në fushën e ekonomisë apo asaj qarkore, riciklimit, e kështu me radhë. Pra, mezi pres të rrisim bashkëpunimin tonë.

Pas heqjes së bllokadës nga Turqia për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, aleanca ka marrë vendimin për të ftuar dy vendet që t’i bashkohen asaj. Lidhur me këtë Tuppurainen thotë se pret që anëtarësimi të ndodhë sa më shpejt që është e mundur.

“Epo, unë nuk kam një top kristali, por shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Jemi të lumtur për Samitin e Madridit që ishte aq i suksesshëm, që arritëm të gjenim një marrëveshje me Turqinë. Është çështje diplomacie dhe është çështje negociatash, gjetja e interesit të përbashkët dhe në fund, dakordimi… Unë besoj se ne të gjithë duhet të punojmë për një Evropë më paqësore dhe më stabile”, thotw Tuppurainen.

Ministrja finlandeze për çështje evropiane, Tytti Tuppurainen po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku nesër pritet të takojë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi./KP/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Brnabiq arsyeton arrestimin e zv.drejtorit Jankoviq, reagon Surroi: Ndërhyrje në identitetin e serbëve të Kosovës

Brnabiq arsyeton arrestimin e zv.drejtorit Jankoviq, reagon Surroi: Ndërhyrje në identitetin e serbëve të Kosovës

Lajme
​Flet avokati i Pal Lekajt për vendimin e 53 milionëshit

​Flet avokati i Pal Lekajt për vendimin e 53 milionëshit

Drejtësi
Pa marrëveshje për dinarin, Bislimi: Ishta takimi i kotë, Serbia e painteresuar për marrëveshje

Pa marrëveshje për dinarin, Bislimi: Ishta takimi i kotë, Serbia e painteresuar për marrëveshje

Lajme
Milatoviq kërkon drejtësi për vrasjet e shqiptarëve në Mal të Zi më 1999 – propozon edhe ngritjen e një memoriali

Milatoviq kërkon drejtësi për vrasjet e shqiptarëve në Mal të Zi më 1999 – propozon edhe ngritjen e një memoriali

Lajme
Prokuroria thirrje qytetarëve: Nëse jeni viktimë që u janë shpërndarë foto apo video intime nga

Prokuroria thirrje qytetarëve: Nëse jeni viktimë që u janë shpërndarë foto apo video intime nga "Albkings", jepni dëshmitë në polici

Drejtësi
Ngrihet aktakuzë ndaj 18 personave për korrupsion me subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë

Ngrihet aktakuzë ndaj 18 personave për korrupsion me subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë

Drejtësi
Kalo në kategori