LAJMI I FUNDIT:

Tubimet elektorale, Zeka: Është dyfytyrësi e partive politike, bizneset po humbin mijëra vende pune nga kufizimet e vendosura

Tubimet elektorale të partive politike në sallat e hoteleve, gjatë masave kufizuese nga ana e komunitetit të biznesit nuk po konsiderohet e drejtë, pasi sipas tyre, këto hapësira vazhdojnë të janë të pashfrytëzueshme nga ana e tyre.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka këto tubime janë dyfytyrësi e partive politike.


“Është dyfytyrësi e të gjitha partive politike që veprojnë në këtë mënyrë, e posaçërisht e atyre që kanë qenë pjesë e pushtetit ose pjesë e institucioneve, për gjatë vitit 2020, përkatësisht që nga muaji mars, sidomos nga ata që i kanë marr ato vendime për kufizimin e aktiviteteve ekonomike, e të njëjtit janë ata që i shkelin ato vendime”, thotë Zeka.

Ai gjatë një interviste për Telegrafin, thotë se pas vendosjes së kufizimeve, bizneset po humbin mijëra vende pune.

“Po shohim që po aplikohen edhe gjoba ndaj tyre, por gjoba si e tillë nuk do të duhej të kishte kurrfarë efekti për aq kohë për ato parti nuk është e vetëdijshme për veprimet që i marrin, e për aq kohë sa janë të vetëdijshme se janë mbyllur mijëra vende të punës, pikërisht në sektorin e gastronomisë, në atë të shërbimit të ushqimit, janë sallat e hoteleve ku për shkak të reduktimit të numrit të vizitorëve ose veprimeve të tjera kufizuese janë ballafaquar me reduktim gati absolut të të hyrave të tyre dhe është dashur t’i mbyllin vendet e punës”, tha ai.

Premtimet miliardëshe të partive, Zeka: Janë vazhdimësi nga zgjedhjet e kaluara, bizneset nuk po ndihmohen
Lexo po ashtu Premtimet miliardëshe të partive, Zeka: Janë vazhdimësi nga zgjedhjet e kaluara, bizneset nuk po ndihmohen

Sipas Zekës, partitë politike po e shohin vetën mbi ligjin në vend që të ishin garantues të zbatimit të tyre.

“Të shohësh që të njëjta salla përdorën për promovime politike kur nuk zbatohen as rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik ose organeve të tjera është jashtëzakonisht e dhimbshme dhe kjo është një dëshmi që partitë politike e shohin vetën që qëndrojnë përmbi ligjet që ata vet i kanë nxjerrë dhe do të duhej të ishin garantues të zbatimit të tyre dhe në anën tjetër komuniteti i biznesit, ndërmarrjet që janë prekur si pasojë e këtyre vendimeve, kanë secili të drejtë të përdorin rrugë ligjore për t’i realizuar të drejtat e tyre të cilat janë cenuar gjatë këtyre muajve për aq kohë bartësit e institucioneve publike dhe përfaqësuesit e partive politike i shkelin ato vendime që vet ata i kanë nxjerrë”, thotë Zeka.

Në këtë intervistë, po ashtu ai ka folur edhe për premtimet miliardëshe të partive politike gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. /Telegrafi/