LAJMI I FUNDIT:

Trumpi nuk duhet të bie në grackën e Putinit

Trumpi nuk duhet të bie në grackën e Putinit
Donald Trump dhe Vladimir Putin (foto: Alexander Zemlianichenko/AP)

Uashingtoni nuk duhet të lejojë dhelprën të hyjë në kotec dhe t’i japë Rusisë rolin e ndërmjetësuesit mes Izraelit dhe Iranit

Nga: Ivana Stradner / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Ndërsa sulmi i Izraelit ndaj programit bërthamor të Iranit vazhdon, Kremlini po tregon muskujt diplomatikë. Vladimir Putini ofroi shërbimin e tij si ndërmjetës – gjatë telefonatës me presidentin Trump, i cili më pas theksoi se “do të ishte i hapur për këtë.” Rusia gjithashtu ka përsëritur gatishmërinë për të marrë uranium nga Irani, si pjesë e një marrëveshjeje bërthamore.


Ky plan do t’i jepte Rusisë kontrollin mbi uraniumin e pasuruar në nivel të lartë, të prodhuar nga Irani, dhe do ta përdorte për prodhim energjie. Uashingtoni do të gabonte nëse do të mbështetej te Moska. Presidenti Trump nuk duhet të bie në grackën e Putinit, i cili është zjarrvënësi që luan rolin e zjarrfikësit.

Rusia ka një histori të gjatë të paraqitjes së rreme si ndërmjetëse e paanshme në konfliktet që variojnë nga luftërat civile në Siri, Libi, Afganistan dhe Republika Qendrore Afrikane, te konflikti mes Izraelit dhe Palestinës, madje deri te konflikti për Nagorno-Karabakun mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Për Vladimir Putinin, bastet janë të larta në konfliktin në rritje mes Izraelit dhe Iranit. Këtë vit, Rusia ratifikoi një marrëveshje të partneritetit strategjik me Iranin. Teherani gjithashtu ka furnizuar Kremlinin me dronët Shahed dhe me raketa balistike me rreze të shkurtër, Fath-360, të cilat janë përdorur kundër Ukrainës. Kjo marrëdhënie shkon përtej sigurisë.

Ideologu nacionalist rus, Aleksandër Dugin, ka theksuar rëndësinë e Korridorit Ndërkombëtar të Transportit Veri-Jug si një shtyllë kyçe të bashkëpunimit ruso-iranian – për të anashkaluar rrugët tregtare të kontrolluara nga Perëndimi dhe për të reduktuar varësinë nga ekonomitë perëndimore. Dugini ka parashikuar gjithashtu një aleancë ideologjike në të cilën Rusia dhe Irani janë “regjime komplementare,” që mbrojnë vlerat tradicionale, fetare dhe anti-liberale kundër Perëndimit. Së fundmi, ndonëse Irani dhe Rusia kanë interesa të ndryshme në Azinë Qendrore, megjithatë kanë një armik të përbashkët: Shtetet e Bashkuara.

Për disa arsye, Rusia as nuk është e gatshme dhe as e aftë të jetë ndërmjetëse efektive. Më e rëndësishmja, Putini dëshiron t’ia bëjë qejfin presidentit Trump për të forcuar pozicionin e tij në negociatat për Ukrainën. Moska po përdor Teheranin për të shmangur vëmendjen nga agresioni në Ukrainë, duke ofruar idenë se Rusia mund të jetë partnere e besueshme për Uashingtonin për të forcuar marrëdhëniet ShBA-Rusi. Gati sa s’e admiron cinizmin e Putinit, i cili e sheh Uashingtonin si armik të Rusisë! Nëse ShBA-ja pranon mbështetjen e Rusisë për Iranin, Moska do ta përdorë këtë si mjet presioni për të nxjerrë më shumë lëshime në negociatat për Ukrainën.

Dhe, ka edhe një bonus. Putini e ka quajtur haptazi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si katastrofën më të madhe politike të shekullit XX, dhe ambicia e tij më e madhe është të rikthejë Rusinë si një superfuqi globale dhe të sigurojë një vend në tryezën e të mëdhenjve. Rusia e dënoi sulmin e Izraelit ndaj Iranit, si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, dhe planifikon të përdorë OKB-në për të kërkuar legjitimitet përmes vetos së saj në Këshillin e Sigurimit. Manovrat diplomatike, në OKB dhe gjetkë, do të përpiqen ta paraqesin Moskën si një shtyllë të një “bote multipolare” dhe ta portretizojnë Rusinë si një superfuqi që përballet me Shtetet e Bashkuara.

Së fundi, pas rënies së regjimit pro-rus të Bashar al-Assadit në Siri, Kremlini përjetoi një sfidë strategjike në Lindjen e Mesme. Putini dëshiron të forcojë pozitat e veta në rajon, nga frika se mos e humb Iranin – një partner tjetër thelbësor. Të martën, Kremlini akuzoi Izraelin se nuk është i interesuar për ndërmjetësim, por Izraeli e njeh mirë historikun e dyfytyrësisë së Putinit dhe nuk i beson Moskës si ndërmjetës paqësor. Rusia nuk ka as fuqinë dhe as dëshirën për të qenë ndërmjetëse i besueshëm në Lindjen e Mesme.

Putini ka tentuar të riformatojë marrëdhëniet ShBA-Rusi, sipas kushteve të tij, të cilat janë të dëmshme për interesat e Shteteve të Bashkuara. Tani, administrata Trump nuk duhet të mashtrohet nga qëndrimi diplomatik i Rusisë. Uashingtoni nuk duhet të lejojë dhelprën të hyjë në kotec dhe t’i japë Rusisë rolin e ndërmjetësuesit mes Izraelit dhe Iranit. /Telegrafi/