ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Ata meritojnë të dinë koston njerëzore dhe financiare të pushtimit të Ukrainës

Nga: Joseph R. DeTrani / The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com


Presidenti Trump duhet t’i informojë qytetarët rusë për masakrën që po shkakton lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Ai duhet t’u tregojë atyre për jetën e humbur të rusëve dhe për koston dërrmuese financiare të një pushtimi pesëvjeçar të një shteti sovran.

Presidenti Reagan u sigurua që informacioni të depërtonte në ish-Bashkimin Sovjetik, në mënyrë që qytetarët të kuptonin se qeveria e tyre po gënjente për koston në jetë të njerëzve dhe në para në luftën e saj në Afganistan.

Pas gati dhjetë vjetësh, në vitin 1989, sovjetikët u tërhoqën nga Afganistani - një moment vendimtar në vitet e fundit të Luftës së Ftohtë.

Sundimtari rus Vladimir Putin, me sa duket, nuk shqetësohet as për jetën e humbur të rusëve, as për koston dërrmuese financiare të pushtimit pesëvjeçar të Ukrainës.

Deri tash janë mbi 1.4 milionë humbje në radhët e forcave ruse (të vrarë, të plagosur, të zhdukur ose të zënë rob), përfshirë qindra-mijëra të vrarë, me një kosto që tejkalon 500 miliardë dollarë.

A janë rusët të vetëdijshëm për përmasat e kësaj tragjedie? A janë ata të vetëdijshëm për bindjen e z. Putin se Ukraina nuk ka të drejtë të ekzistojë dhe se ai e konsideron të justifikuar pushtimin e një shteti sovran i cili hoqi dorë nga armët e tij bërthamore në këmbim të garancive të sigurisë?

Humbjet e Ukrainës kanë tejkaluar shifrën 600 mijë, ndërsa numri i të vrarëve i afrohet shifrës 140 mijë, përfshirë 16 mijë civilë. Kostoja e luftës deri tani është afërsisht 600 miliardë dollarë, ndërsa rindërtimi i vendit të shkatërruar pritet t’i kushtojë ShBA-së një trilion dollarë.

Ky është çmimi të cilën Ukraina po e paguan për shkak të obsesionit të z. Putin për të rikrijuar Perandorinë Ruse.

Z. Trump i është drejtuar disa herë z. Putin në përpjekje për të siguruar një armëpushim dhe, më pas, një traktat paqeje. Deri më sot, këto përpjekje nuk kanë dhënë rezultat. Fatmirësisht, z. Trump vazhdon të këmbëngulë. Megjithatë, derisa të arrihet armëpushimi, Ukraina do të vazhdojë të mbështetet te Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për armët dhe sistemet e mbrojtjes raketore që i nevojiten për mbijetesën e saj.

Samiti i fundit i NATO-s, me pjesëmarrjen e 31 vendeve aleate, rikonfirmoi mbështetjen e tij të fuqishme për Ukrainën, duke premtuar 79.7 miliardë dollarë ndihmë dhe duke shpallur synimin për t’i dhënë Ukrainës licencë për të prodhuar raketat interceptuese Patriot.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë në NATO mund të bëjnë edhe më shumë për t’ua përcjellë të vërtetën qytetarëve rusë. Kjo është e vërteta për qindra-mijëra rusë të vrarë në Ukrainë dhe për familjet e pikëlluara që kanë paguar çmimin më të lartë.

Agjencia e Informacionit e Shteteve të Bashkuara (USIA) u mbyll në tetor të vitit 1999 dhe misioni i saj i rëndësishëm iu transferua Departamentit të Shtetit. Shpresojmë që kolegët tanë atje po punojnë me përkushtim për t’ia përcjellë mesazhin qytetarëve rusë: Lufta duhet të marrë fund. Rusët dhe ukrainasit kanë vuajtur mjaftueshëm. Z. Putin dhe rrethi i tij i ngushtë duhet të shpjegojnë pse kaq shumë burra dhe gra humbën jetën në një luftë të cilën ai e nisi, ndërkohë që vetë vazhdon të pasurojë veten.

Kjo luftë e ka shndërruar Federatën Ruse në një shtet të izoluar në arenën ndërkombëtare.

Ky duhet të jetë mision i gjithë aparatit shtetëror: të përhapet e vërteta për qindra-mijëra rusë dhe ukrainas të vrarë ose të gjymtuar në luftën e shkaktuar nga arroganca dhe paaftësia e z. Putin.

Megjithëse audienca kryesore e këtij mesazhi është populli rus, edhe Kina duhet të jetë e vetëdijshme për tragjedinë e luftës në Ukrainë. Në fund të fundit, Pekini është i lidhur me një shtet të izoluar ndërkombëtarisht, si Federata Ruse, ndaj të cilit janë vendosur sanksione të rënda nga komuniteti ndërkombëtar.

A është kjo pamja të cilën Kina dëshiron t’ia paraqesë botës?

Takimi i fundit i NATO-s ishte i qartë në mbështetjen e tij për Ukrainën, viktimë e një pushtimi mizor dhe brutal rus. Ka ardhur koha që qeveria ruse të dëgjojë zërin e popullit rus dhe t’i japë fund kësaj lufte të përgjakshme. /Telegrafi/