Presidenti amerikan, Donald Trump ka folur për luftën në Ukrainë gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke e përshkruar konfliktin si një “masakër gjaku”.

Ai theksoi rëndësinë e ndërhyrjes për të ndalur dhunën, duke vënë theksin mbi humbjen e jetëve të të rinjve dhe ndikimin human të luftës.


“Kjo është ajo që dua të ndaloj. Nuk i ndihmon Shtetet e Bashkuara, por këto janë shpirtra, këta janë të rinj që po humbin jetën pa arsye”, tha 79-vjeçari, duke e përshkruar situatën si një tragjedi të madhe njerëzore.

“Dua ta ndaloj këtë luftë. Është një luftë e tmerrshme, dhe të gjithë duhet të punojmë për ta ndalur”, deklaroi ai me vendosmëri.

Trump gjithashtu foli për marrëdhëniet e tij me liderët botërorë që lidhen me konfliktin, duke përmendur veçanërisht Vladimir Putinin. Ai tha se presidenti rus është i gatshëm për të arritur një marrëveshje, duke sugjeruar një mundësi për zgjidhje diplomatike.

“Po merrem me presidentin Zelensky, dhe mendoj se ai gjithashtu dëshiron të bëjë një marrëveshje”, shtoi lideri amerikan.

Gjatë fjalimit, Trump bëri të ditur se do të takohet personalisht sot me presidentin ukrainas, duke theksuar urgjencën për të ndaluar luftën “ata duhet të ndalojnë atë luftë sa më shpejt të jetë e mundur”. /Telegrafi/