Presidenti amerikan, Donald Trump publikoi një video në rrjetet sociale ku pretendohet se investitori i njohur, Warren Buffett mbështet planin tarifor të administratës amerikane.

"Trump po e rrëzon bursën me 20 për qind këtë muaj, por ai po e bën këtë qëllimisht. Dhe pikërisht për këtë arsye Warren Buffett sapo tha se Trump po ndërmerr veprimet ekonomike më të mira që ka parë në mbi 50 vjet", thotë narratori në videon e shpërndarë nga Trump në rrjetin social Truth Social.


Konglomerati shumëkombësh i Buffettit, Berkshire Hathaway, reagoi shpejt duke mohuar që Buffett mbështet tarifat e Trumpit.

"Aktualisht po qarkullojnë raporte në rrjetet sociale (duke përfshirë Twitter, Facebook dhe TikTok) lidhur me komente që gjoja i ka bërë Warren E. Buffett. Të gjitha ato raporte janë të rreme", thuhet në deklaratën e kompanisë. Sipas listës së Forbes, Buffett është njeriu i pestë më i pasur në botë.

Ndryshe, Trump njoftoi të mërkurën tarifat prej të paktën 10 për qind për importet nga pothuajse të gjitha vendet, ndërsa për disa nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së vendosi norma edhe më të larta.

Kjo deklaratë shkaktoi tronditje në tregjet globale dhe bursat në mbarë botën ranë. Në dritën e këtij njoftimi, JPMorgan rriti vlerësimin e rrezikut të recesionit në vitin 2025 në 60 për qind.

Dje Kina, partneri i tretë më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara, njoftoi kundërmasa tarifore prej 34 për qind për të gjitha mallrat amerikane duke filluar nga data 10 prill, duke shtuar më tej frikën në tregje për shkak të rritjes së rrezikut të luftërave tregtare.

Buffett ka qenë kritik ndaj planeve tarifore të Trump-it, duke i quajtur "një akt lufte, deri diku", në një intervistë për CBS.

Ndryshe, sipas Forbes, që nga 17 shkurti 2025, pasuria neto e 94-vjeçarit vlerësohet të jetë 149.6 miliardë dollarë, duke e bërë atë individin e shtatë më të pasur në botë. /Telegrafi/