Trump: Shumë kohë para Putinit, ishte një mirëkuptim që Ukraina nuk do të hynte në NATO

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se gjithmonë ka pasur një mirëkuptim se Ukraina "nuk do të hynte në NATO", shkruan Ukrainska Pravda.
Trump në një intervistë me Politico, i bëri këto komente, transmeton Telegrafi.
Sipas Trump, mirëkuptimi se Ukraina nuk do të bëhej kurrë anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut, ekzistonte "shumë kohë para" ardhjes në pushtet të Vladimir Putinit.
"Shumë kohë para Putinit, ishte një mirëkuptim se Ukraina nuk do të hynte në NATO. Kjo ishte shumë kohë para Putinit, me gjithë drejtësinë. Dhe tani ata shtynë, e dini, kur, Zelensky hyri për herë të parë dhe u takua me Putinin, ai tha se dua dy gjëra. Dua Krimenë përsëri dhe ne do të jemi anëtarë të NATO-s. Ai nuk e tha as në një mënyrë shumë të mirë", tha Trump.
Nuk është e qartë se për cilin takim Zelensky-Putin po i referohet Trump. E vetmja herë që presidenti ukrainas u takua personalisht me sundimtarin e Kremlinit ishte në Paris në vitin 2019.
Trump nuk ishte i pranishëm në atë takim dhe potenciali i Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n nuk u diskutua.
Më vonë në intervistë, Trump e përshkroi presidentin ukrainas si "një shitës të shkëlqyer".
"Ai e bindi Joe Bidenin për t'i dhënë 350 miliardë dollarë amerikanë. Dhe shikoni çfarë i solli kjo. Rreth 25% e vendit të tij mungon", shtoi ai. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com

















































