Agjencia Amerikane për Imigracion (ICE) ka vendosur t'u rikthejë statusin ligjor, pra vizat studentore, studentëve ndërkombëtarë në SHBA që synonte t'i deportonte, sipas një vendimi të administratës së presidentit Donald Trump.

Sipas asaj që shkruan AP News, ky vendim u mor pas një numri të madh ankesash të paraqitura nga studentët e huaj në Amerikë, dhe disa prej tyre tashmë kanë marrë përsëri vizat që u ishin hequr nga ICE.


Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në 1200 studentë kishin mbetur pa viza si pasojë e një vendimi të drejtpërdrejtë të ICE-it, pasi administrata e Trumpit nisi një operacion masiv deportimi.

Shumë prej tyre humbën statusin e tyre ligjor për shkak të qëndrimeve politike, pra pjesëmarrjes në protesta pro-palestineze në kampuset e universiteteve në SHBA.

Rasti më i njohur është ai i Rumeysa Ozturk, një studente nga Turqia, e cila humbi vizën për shkak të një artikulli autorial të botuar në gazetën studentore.

Edhe pse Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane garanton lirinë e tubimit, shumë studentë ishin në rrezik deportimi për shkak të pjesëmarrjes në protestat pro-palestineze, por presioni gjyqësor, sipas AP News, dha rezultat dhe ata pritet të qëndrojnë në universitetet e tyre. /Telegrafi/