LAJMI I FUNDIT:

Trump i pakënaqur me planin e shefit të Apple

Trump i pakënaqur me planin e shefit të Apple

Presidenti amerikan, Donald Trump është shprehur i pakënaqur me faktin që Tim Cook, drejtori ekzekutiv i Apple, synon të prodhojë iPhone për tregun e Shteteve të Bashkuara në fabrika të reja të ndërtuara në Indi.

Ai e shprehu pakënaqësinë gjatë një vizite në Katar, që është pjesë e turneut të tij në Lindjen e Mesme.

“Dje pata një problem të vogël me Tim Cook. I thashë: ‘Tim, ti je miku im. Jam sjellë shumë mirë me ty. Ti po vjen me 500 miliardë dollarë. Por tani po dëgjoj se po ndërton gjithandej në Indi. Nuk dua ta bësh këtë’”, deklaroi lideri amerikan.


Administrata e re amerikane ka vendosur tarifa doganore për pothuajse çdo gjë që importohet në SHBA, duke përmendur si arsye nxitjen e prodhimit vendas, përmirësimin e bilancit tregtar dhe sigurimin e të ardhurave në kuadër të planit për uljen e taksave.

Disa kompani, përfshirë Apple, kanë paralajmëruar rritje të prodhimit në SHBA për të shmangur tarifat e larta doganore. Megjithatë, sipas CNN, ndërtimi i fabrikave kërkon vite dhe fuqia punëtore amerikane është e shtrenjtë. Pra, nuk është e lehtë të fillohet prodhimi menjëherë në SHBA.

Plani i Apple është të zhvendosë prodhimin e iPhone nga Kina në Indi për të shmangur pagesën e tarifave të larta në SHBA. Kompania ka njoftuar më parë se tarifat mund t’i shkaktojnë një kosto shtesë prej 900 milionë dollarësh që në këtë tremujor. Përveç kësaj, Cook ka deklaruar më herët këtë muaj se pret që shumica e iPhone që shiten në SHBA të kenë Indinë si vend origjine.

Zhvendosja e prodhimit të telefonit të mençur të Apple nga Kina në Indi ka zgjatur me vite, duke përfshirë ndërtimin e fabrikave dhe punësimin e stafit. Aktualisht, kompania nuk ka mundësi të prodhojë iPhone në SHBA, dhe kjo gjasë është që të mbetet kështu.

Analistët kanë vlerësuar se çmimi i këtij telefoni në tregun amerikan mund të trefishohej në 3500 dollarë nëse do të prodhohej në SHBA. Në shkurt, Apple njoftoi një plan prej 500 miliardë dollarësh për të zgjeruar kapacitetet e saj në SHBA gjatë katër viteve të ardhshme, çka do të nënkuptonte edhe punësimin e 20 mijë personave të tjerë. /Telegrafi/