Trump: Iranit nuk i ka mbetur as ushtri, dëshiron marrëveshje

"Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje", ka deklaruar presidenti amerikan, Donald Trump.
Ai e ka thënë këtë disa herë në javët e fundit, por ende nuk duket se një marrëveshje do të arrihet.
"Sepse në thelb nuk u ka mbetur asnjë ushtri", shtoi ai.
"Dhe ata duan të bëjnë një marrëveshje, por unë nuk jam i kënaqur", vazhdoi Trump.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të parë të raketës së tyre hipersonike “Dark Eagle” në një konflikt të mundshëm me Iranin.
Sipas raportimeve të bloomberg, kjo armë mund të vendoset në Lindjen e Mesme për të goditur objektiva të mundshëm iranianë, veçanërisht lëshues raketash balistike që janë zhvendosur përtej rrezes së armëve ekzistuese amerikane.
“Dark Eagle”, i njohur edhe si “Long-Range Hypersonic Weapon” (LRHW), është një nga sistemet më të avancuara amerikane të gjeneratës së re, i projektuar për sulme precize në distanca të mëdha.
Mbi dy muaj që nga fillimi i luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin - MINUTË PAS MINUTE
Bëhet fjalë për një sistem raketor tokësor që përdor një kokë hipersonike rrëshqitëse, e cila mund të lëvizë me shpejtësi mbi 5 Mach (më shumë se pesë herë shpejtësia e zërit) dhe ka një rreze veprimi rreth 2700–3500 kilometra.
Ky sistem është projektuar për goditje të shpejta dhe precize ndaj objektivave të rëndësishëm dhe të mbrojtur mirë, si qendrat komanduese, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe objektivat strategjikë të armikut. /Telegrafi/




















































