Ish-presidenti amerikan sulmoi Twitterin dhe u pendua që nuk e kishte bllokuar shërbimin.

Ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump ka mirëpritur bllokimin që Nigeria ia bëri rrjetit social Twitter.

“Më shumë vende duhet të ndalojnë Twitter dhe Facebook sepse nuk lejojnë shprehje të lirë dhe të hapur – të gjithë zërat duhet të dëgjohen”, tha Trump, llogaria e të cilit me shërbimin e mesazheve të shkurtra u bllokua në janar, të martën (me kohën lokale). Ai shtoi, “Ndoshta unë duhet ta kisha bërë kur isha president”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Ish-presidenti amerikan gjithashtu u ndalua nga Facebook dhe ndalimi u zgjat kohët e fundit.

Qeveria e shtetit të Nigerisë që ndodhet në Afrikën Perëndimore befasisht njoftoi të premten e kaluar se do të bllokojë hyrjen në Twitter për shumicën e njerëzve në vend. Platforma më parë kishte fshirë një shkrim të diskutueshëm nga presidenti nigerian Muhammadu Buhari dhe pezulloi llogarinë e kreut të shtetit për dymbëdhjetë orë.

Trump u ndalua nga Twitter, Facebook dhe Youtube në janar pak para përfundimit të presidencës së tij. Shkaku ishte sulmi i Capitol Hill të SHBA-së nga mbështetësit e tij – dhe se ai shprehu simpati për sulmuesit. Ai gjithashtu pretendoi, pa ndonjë provë, se fitorja e tij zgjedhore presidenciale në nëntor i ishte vjedhur. /Telegrafi/