LAJMI I FUNDIT:

Trepça e ndarë, asnjë komunikim me menaxhmetin në pjesën veriore

Trepça e ndarë, asnjë komunikim me menaxhmetin në pjesën veriore

Gjiganti metalurgjik Trepça, i ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe në jug me minatorë shqiptarë, edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, nuk po rimëkëmbet.

Ushtruesi i detyrës së menaxherit në këtë ndërmarrje, Miftar Hyseni, thotë se situata aktuale në Trepçë nuk është e mirë dhe ka rënie të prodhimit, ndërsa nuk pret që së shpejti të ndodhë ndonjë përmirësim. Ai gjatë një interviste për KosovaPress, ka bërë të ditur arsyet e kësaj gjendje, duke potencuar në rend të parë mungesën e fuqisë punëtore.


Hyseni ka fajësuar të gjithë për situatën e paqartë të krijuar në Trepçë, duke thënë se duhet një qasje më serioze, nga qeveria, menaxhmenti, sindikata, dhe të gjithë të punësuarit, në mënyrë që të zgjidhet problemi dhe në të ardhmen Trepça të zhvillohet.

Tregon sa për qind e rezervave gjeologjike minerare ndodhen në veri dhe se si nuk kanë asnjë bashkëpunim me menaxhmentin në atë pjesë.

Sipas tij, ata marrin instruksione nga Beogradi.

Sipas tij, me krijimin e kushteve që Trepça të regjistrohet si shoqëri aksionare, pastaj me pranimin e punëtorëve të rinj, si dhe me një investim në pajisje të reja, do të rritej prodhimi gradualisht dhe kjo ndërmarrje do të funksionalizohej.

“Me pak fjalë, Trepça nuk është në situatë të mirë sa i përket prodhimit. Ka një rënie të prodhimit dhe se nuk pritet shumë shpejt ndonjë përmirësim. Arsyet e rënies së prodhimit janë të shumta… Siç dihet Trepça që nga fundi i vitit 2016 me një Ligj të ri ka kaluar në shoqëri aksionare. Prej atëherë ka qenë një vakum shumë i madh dhe nuk ka pasur Bord të Trepçës… Para katër muajve është formuar një Bord i Trepçës që është gjysmak, sepse nuk marrin pjesë përfaqësuesit e pjesës veriore të Trepçës. Prej 9 anëtarëve janë 6 anëtarë të cilët fatkeqësisht merren vetëm me problemet e Trepçës në pjesën jugore… Prej vitit 2013 nuk është pranuar asnjë punëtor në Trepçë… Ne kemi një numër të madh të punëtorëve të moshuar të cilët jemi të detyruar t’i mbajmë në punë, por në disa vende ku nuk mund të japin efektet e tyre në prodhim për shkak të moshës së shtyrë dhe sëmundjeve të ndryshme”, deklaron ai.

Ai shpjegon se minatorët janë plakur dhe thotë se rënia e prodhimit në rend të parë, është për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.

Hyseni shpjegon se rezervat minerare janë, fuqi punëtorë ka në treg, vetëm duhet punësuar. Ndërsa çmimet e metaleve që prodhohen, sipas tij, kurrë në histori nuk kanë qenë më të mira.

Për tu bërë këto, ai thotë se duhet qasje serioze e të gjithëve.

“ Unë mendoj se në dy tre faza ishte dashur së pak u edhe 300 punëtorë të punësohen në miniera, për me mujt me pas një zhvillim të hovshëm”, thotë Hyseni.

Sa i përket bashkëpunimit në mes të menaxhmentit të Trepçës nga veriu dhe jugu, ai tha se deri vonë ka pasur kontakte, shkëmbim të pajisjeve, repromaterialeve dhe ngjashëm, por jo ndonjë bashkëpunim konkret dhe të mirëfilltë.

Ushtruesi i detyrës së menaxherit, ka bërë të ditur se tani ky bashkëpunim është ndërprerë, sidomos prej formimit të Bordit për Trepçën.

Ai shtoi se në këtë situatë të re, e cila është krijuar kohët e fundit në ndërmarrje, veriorët kanë një qasje krejt ndryshe ngase instruksionet i marrin nga Beogradi.

“Realisht mund të themi se ka pasur bashkëpunim, por ky bashkëpunim ka qenë vetëm në shkëmbimin e pajisjeve, retromaterialeve të ndryshme, mirëpo diçka konkrete më shumë, jo. Ne pjesa shqiptare prej pasluftës kur kemi filluar punën, përmes sindikatës të gjithë punëtorët kanë deklaruar se janë të gatshëm të punojnë edhe me serbët të cilët kanë punuar këtu, por jo me ata që kanë pasur duart e përlyera me gjak …Fatkeqësisht një hap të tillë nuk e kanë bërë edhe përfaqësuesit e pjesës veriore…  Ngecja më e madhe është tash prej se është formuar Bordi për Trepçën, ose prej që Trepça ka kaluar në Shoqëri aksionare. Ata sikur mos me dashtë me u pajtu me këtë çështje. Është një ndërrim i qasjes së tyre tash, në këtë situatën e re…Unë po mendoj se ata instruksionet i marrin diku tjetër jo në Kosovë, i marrin në Beograd”, thekson Hyseni.

Në lidhje me zërat e fundit për një ndarje të mundshme të Kosovës, Hyseni potencoi se shumë pjesë të Trepçës ndodhen në veri, duke përfshirë minierat në Leposaviq dhe metalurgjinë e plumbit e cila përbëhet prej shkritoreve dhe rafinerive që ndodhen në Zveçan.

Sipas tij, ndarja eventuale e vendit do të ishte dëm për Kosovën dhe Trepçën, derisa tha se rreth 20 për qind e rezervave gjeologjike minerare do të mbeten në atë pjesë, kurse rezervat e mëdha që përbëjnë 80 për qindëshin janë në pjesën jugore.

“Unë së pari nuk kisha dashur të ndodhë kjo, sepse kishte me qenë shumë dëm për Kosovën, normal edhe për Trepçën sepse shumë pjesë të Trepçës janë në pjesën veriore.  Përveç minierave, e kemi edhe metalurgjinë e plumbit në atë pjesë…e cila përbëhet prej shkritoreve dhe rafinerive… Flitet se janë tri miniera, dy janë funksionale, kurse e treta ende nuk është në funksion… Dihet se rezervat e mëdha dhe të shumta janë në pjesën jugore. Do të thotë më shumë se 80 për qind e rezervave që thuhet se 56 milionë të rezervave të verifikuara janë në pjesën jugore… E vërteta është se nuk ka shumë rezerva gjeologjike minerare në pjesën veriore, por megjithatë janë objektet tjera që janë shumë të rëndësishme”, sqaron Hyseni.

Ndryshe, Trepça sot brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha, në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve. /kp/Telegrafi/