“Treguan mungesë respekti”, Antony flet për trajtimin që i bëri Man Utd para kalimit te Betisi

Antony pretendon se është munguar respekti ndaj tij nga Manchester United para se transferimi i tij veror te Real Betis të finalizohej.
Sulmuesi brazilian, i cili pati një periudhë të suksesshme si i huazuar te skuadra andaluziane në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, e kishte bërë të qartë se rikthimi në Sevilla ishte prioriteti i tij.
Megjithatë, sipas Antonyt, Manchester United nuk e bëri të lehtë procesin e transferimit, aq sa në një moment ai u izolua në një hotel për më shumë se 40 ditë, duke u stërvitur veçmas nga skuadra, ndërsa përpiqej të shtynte marrëveshjen përpara.
Ai më në fund e realizoi dëshirën e tij, me United që pranoi të finalizonte transferimin e përhershëm te Betis, edhe pse me një humbje të konsiderueshme financiare, duke qenë se kishin paguar 85 milionë për ta sjellë nga Ajax në vitin 2022.
Në 96 paraqitje në të gjitha garat, Antony shënoi vetëm 12 gola dhe përfundoi jashtë planeve kryesore në "Old Trafford".

“Ishin muaj shumë të vështirë në Angli, më shumë se 40 ditë në hotel, stërvitje i ndarë. Ndihem sikur më munguan respektin, por kjo nuk është çështja tani. Nuk dua të krijoj polemika, kjo është jeta”.
“Jam shumë mirënjohës për klubin; pati momente të këqija, por edhe të mira, fituam dy tituj. Familja ime udhëtoi në Sevilla katër ose pesë ditë përpara se marrëveshja të finalizohej, shtëpinë e kisha marrë me qira”.
“Vetëm familja ime e di sa e vështirë ishte të isha atje. Të stërvitesha i ndarë nga grupi. Por e dija që ky moment i mrekullueshëm do të vinte. Sigurisht, kisha frikë se mos nuk ndodhte në fund, por prita, sepse kisha shumë besim”.
“Tani që kam më shumë kohë, ka shumë gjëra për të bërë dhe për të arritur. Kam pasur vështirësi të fle pasi pashë gjithë dashurinë e tifozëve të Betis, kishte njerëz që më prisnin te shtëpia në orën dy të mëngjesit”, ka thënë Antony./Telegrafi/


















































