LAJMI I FUNDIT:

Traumat, ankthi e depresioni – psikologia Antigona Sejdiu tregon se si manifestohen këto çrregullime

Traumat, ankthi e depresioni – psikologia Antigona Sejdiu tregon se si manifestohen këto çrregullime

Psikologia Antigona Qenaj Sejdiu në një Podcast për Telegrafin ka folur për rëndësinë e shëndetit mendor. 

Qenaj-Sejdiu në këtë Podcast me redaktoren Besnike Salihu Shala ka folur edhe për depresionin, ankthin e traumat e luftës.


Sipas saj, traumat mund të jenë një prej problemeve më të madha të shëndetit mendor dhe kompleksiteti i tyre bën që edhe pas shumë viteve të përfundimit të luftës personat i shfaqin përmes çrregullimeve të ankthit e depresionit.

“Stresi post-traumatik mund të shfaqet edhe vite më vonë”, tha ajo, duke shtuar se çrregullimet e ankthit, sulmet e panikut e depresioni mund të shfaqen për shkak të traumave që i kanë përjetuar.

“Pastaj edhe sjellja e dhunshme mund të jetë një prej pasojave që si shoqëri i bartim prej luftës”, tha ajo.

Psikologia Sejdiu duke folur për ankthin tha se manifestohet përmes disa simptomave. “Te ankthi personi nuk ndjehet rahat, ka vështirësi në frymëmarrje, mund të djersitet natën, ndenja e ngufatjes, rrahje të shpejta të zemrës, nuk mund të përqendrohet e mund të ketë mendime negative”, tha ajo.

Psikologia Antigona Qenaj Sejdiu gjatë intervistës për Telegrafi.com

Qenaj-Sejdiu bëri të ditur se nëse merret numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë te neurologu, psikiatri, neuropsikiatri e psikologu mund të vihet re sa ka shumë raste të ankthit.

Ndërkaq, se si manifestohet depresioni ajo tha se varet se në cilin nivel ndodhet personi.

Ajo bëri të ditur se mendimet negative, humbja e shpresës, mungesa e energjisë e mungesa e motivit për aktivitetet e përditshme, problemet me pagjumësinë, janë ndër simptomat që mund të manifestohen te personat me depresion. /Telegrafi/