LAJMI I FUNDIT:

Transport falas për shtetasit e Maqedonisë të bllokuar në Izrael

Transport falas për shtetasit e Maqedonisë të bllokuar në Izrael

Në bazë të vendimit të marrë sot nga ana e Qeverisë, është organizuar transport ajror falas me fluturim çarter, në relacionin Tel Aviv – Shkup, për shkak të evakuimit të të gjithë shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët duan të largohen nga Izraeli, dhe të cilët kanë kërkuar që të kthehen në Maqedoninë e Veriut, informan sot pasdite nga shërbimi për informim i Qeverisë.

Në kushte të anulimit të të gjitha fluturimeve dhe transport ajror të bllokuar me Izraelin, sfida për organizimin e këtij fluturimi çarter është tejkaluar përmes bashkëpunimit me “Air Serbia” për transport të qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndihmë. Transporti ajror i cili do të organizohet gjatë ditës së nesërme, do të jetë falas për qytetarët të cilët kanë kërkuar ndihmë, dhe do të mbulohet nga rezervat e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, bëhet e ditur në kumtesë.


Në drejtim të organizimit efikas të transportit ajror, Ministria e Punëve të Jashtme, përmes Përfaqësive Konsullore Diplomatike në Tel Aviv ka siguruar listën dhe informacionet për shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët gjenden në Izrael dhe të cilët kanë kërkuar ndihmë që të kthehen në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Ambasada në Tel Aviv ka qenë në kontakt me qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga fillimi i krizës dhe disa nga qytetarët që ishin në Izrael tashmë janë kthyer në vend, ndër të tjera edhe me fluturime speciale të vendeve mike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ambasada dhe Ministria e Punëve të Jashtme mbeten të hapura për të gjitha pyetjet lidhur me këtë çështje”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Kryeministri Kovaçevski më parë në Fejsbuk paralajmëroi se është siguruar fluturim falas nga Tel Avivi deri në Shkup për evakuim të shtetasve nga Maqedonia e Veriut të cilët për momentin gjenden në Izrael dhe të cilët kanë kërkuar ndihmë që të kthehen në Maqedoninë e Veriut.

“Ata tashmë nesër duhet të jenë në vend të sigurt dhe në shtëpitë e tyre”, shkroi Kovaçevski.

Në kushte të fluturimeve të anuluara dhe transportit ajror të bllokuar në tërësi me Izraelin, me të vërtetë ishte sfidë që të organizohet ky fluturim, theksoi ai.

“Me nismën time dhe në bisedë me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, qytetarët tanë do t’i kthejmë në shtëpi me aeroplan të Air Serbia. Falë saj dhe të gjithë të përfshirëve në proces, fqinjësia e mirë u shfaq edhe në veprim këtë herë. Komunikimi ynë i hapur dhe i drejtpërdrejtë për të gjitha çështjet është gjithmonë në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve, gjë që u konfirmua konkretisht edhe këtë herë. Ju uroj fluturim të qetë dhe kthim sa më shpejt në shtëpi”, shkruan Kovaçevski.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot në konferencë për media informoi se nga Izraeli deri më tani janë kthyer 60 shtetas të Maqedonisë së Veriut, nga gjithsej 150 të cilët kanë kërkuar ndihmë. Paralajmëroi se 90 të tjerët do të evakuohen gjatë ditës së nesërme.