Prej nesër fillon të qarkullojë “Treni urban” në relacionin Zelenikovë-Shkup

Promovimi zyrtar i projektit “Treni urban” do të mbahet të mërkurën, më 2 shtator, paralajmëruan nga Ministria e Transportit. Treni urban nesër do të fillojë të qarkullojë në linjën e parë nga tri të paraparat, dhe atë: Zelenikovë – Zelenikovë e Re – Oreshan – Jane Sandanski – Draçevë – Lisiçe dhe Stacioni i ri hekurudhor Shkup.
Në ngjarje pritet të marrin pjesë kryetari i Qeverisë, Hristian Mickoski, zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, drejtori i NP HM Infrastruktura Sinisha Ivanovski, drejtori i HM Transporti, Dejan Koshutiq, më pas kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjievski, si dhe kryetarët e komunave Zelenikovë, Kosta Manevski, Kisella Vodës, Beti Stamenkovska Trajkova dhe Aerodromit, Dejan Mitevski.
Sipas parashikimit, të prnaishmit simbolikisht do ta shënojnë projektin “Treni urban” me udhëtim me tren nga stacioni hekurudhor Zelenikovë deri në Stacionin e ri hekurudhor Shkup.
Hekurudhat Infrastruktura për nevojat e projektit “Treni urban” kreu rikonstruim të plotë të hekurudhës për ta ngritur nivelin dhe kapacitetin e shpejtësisë së këtij relacioni.
Komunikacioni në linjën Zelenikovë-Stacioni hekurudhor Shkup do të realizohet me tre trena sipas itinerarit të saktë të caktuar, të cilin e konfirmoi HM Transporti.
Projekti “Treni urban” është ide e kësaj qeverie me qëllim që qytetarët e Shkupit si nga periferia, ashtu edhe nga pjesa qendrore të kenë transport më të shpejtë, më efikas dhe më të kapshëm publik urban. Qëllimi është pjesët periferike të Shkupit të lidhen me rajonin qendror të Qytetit, që do të thotë udhëtim më i lirë, udhëtim më i shkurtë, më pak pritje dhe transport më i shpejtë publik.
Posaçërisht me rëndësi është që projekti “Treni urban” të integrohet edhe me rendin qarkullues të udhëtimit të NQP-së dhe në atë mënyrë fitohet një transport cilësor, i integruar dhe efikas publik për qytetarët, studentët dhe nxënësit.
Nga Ministria e Transportit potencojnë se në rrjedhë janë punët edhe në projektimin e linjës së dytë dhe të tretë të Trenit urban, përkatësisht nga Stacioni i ri hekurudhor përmes Butelit – Shkup Veri deri në Gjorçe Petrov dhe tjetra nga Stacioni i ri hekurudhor përmes Autokomandës – Maxharit deri në "Ilinden".






































