Aktiviteti fizik ose ushtrimet mund të përmirësojnë shëndetin tuaj dhe të zvogëlojnë rrezikun e shfaqjes së disa sëmundjeve si diabeti tip 2, kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Aktiviteti fizik dhe ushtrimet fizike mund të kenë përfitime të menjëhershme dhe afatgjata shëndetësore. Më e rëndësishmja, aktiviteti i rregullt mund të përmirësojë cilësinë e jetës tuaj.


Leonard Mark Nikaci është trajner i fitnesit, i cili tash e sa vite zhvillon profesionin e tij në një nga qendrat e fitnesit në kryeqytet.

Në një intervistë për Telegrafin, Nikaci ka treguar për kohën e pandemisë, ndikimin e suplementeve dhe steroideve si dhe ka demonstruar disa nga ushtrimet që duhet t’i dijë çdo fillestar.

 “Stili i sotëm dinamik i jetesës e bënë fitnesin shumë të domosdoshëm. Fitnesi nuk duhet të jetë zgjedhje, por nevojë esenciale pasi trupi i njeriut nuk është i ndërtuar që të jetë pasiv”.

116049313 10222310114243445 2258161998562036890 o Foto: Facebook

Trajneri Nikaci tregon për Telegrafin pasojat e pasivitet fizik në periudhën e pandemisë.

“Pasiviteti fizik bënë që të mos kemi qarkullim të mirë të gjakut, krijohen muskujt e atrofuar që më pas krijojnë dhimbje në pjesë të ndryshme të trupit”.

107509050 10222155444496798 1902141170058283209 n Foto: Facebook

Tutje, ai tregon çfarë ka bërë ai si profesionist i fushës për të ndihmuar njerëzit gjatë pandemisë që të qëndrojnë aktiv.

“Pas karantinimit nga ana e Qeverisë, kemi krijuar programe për ushtrime në shtëpi falas, në mënyrë që njerëzit të vazhdojnë të jenë aktiv. Të gjitha ushtrimet ishin të realizuara me video instruksione, në mënyrë që të kuptohen sa më lehtë”.

91981598 2675557905905001 5233862973860085760 o Foto: Facebook

Leonardi jep disa këshilla për lexuesit e Telegrafit të cilët duan të fillojnë ushtrimet për herë të parë.

“ Hapi i parë dhe më i rëndësishëm është që të mos e gjykojmë veten ose procesin në të cilin do të kalojmë. Do të thotë se nuk duhet të mendosh se me fillim do arrish shumë, por as nuk duhet të mendojmë se ky aktivitet i ri është i pa mundur të realizohet nga ne, duhet ta gjejmë mesin mes këtyre dyjave”.

55480129 10156808211640211 3754153930439786496 o e1609335635286 Foto: Facebook

Nikaci tregon për ndikimin e aktivitet fizik në shëndetin mendor, me theks të veçantë te njerëzit të cilët vuajnë nga depresioni.

“Shprehja ‘Mendja e shëndosh në trupin e shëndosh’, e përshkruan më së miri ndërlidhjen mes këtyre dyjave. Fitnesi u rekomandohet shumë personave në depresion, pasi gjatë këtij procesi rregullohen hormonet e lumturisë. Ndryshe, në shumë studime shkencore është treguar se aktiviteti fizik e ka efektin më të madh se farmaceutikët të cilët janë krijuar për të luftuar depresionin”.

depression gym Foto: Ilustrim

Tutje, trajneri flet për suplementet dhe steroidet, të dyja këto shumë të diskutuara për ndikimin e tyre pozitiv dhe negativ në trupin e njeriut.

“Suplemtentet e rekomanduara janë shtesa ushqimore të cilat nuk i marrim gjatë ushqyerjes dhe duhet t’i arrijmë nga këto suplemente, nuk kanë efekte negative nëse merren me rregull dhe i plotësojnë mungesat e nutrientëve. Ndërsa steriodet nuk janë aspak të nevojshme dhe rekomandueshme, trupi vet i balancon hormonet pa nevojë për ‘ndihmë’ shtesë nga steroidet. Nëse mundohemi të ndërrojmë kiminë e trupit përmes steroideve mund të ketë shumë efekte anësore në shëndet të cilat mund të jenë edhe të pa kontrollueshme".

steroids02 569fe6243df78cafda9efc4d Foto: Ilustrim

Leonard Nikaci tregon se cila është koha e duhur e ditës për ushtrime dhe sa ditë në javë janë të mjaftueshme të ushtrojmë.

“Në shërbimet që ne ofrojmë e kemi të caktuar pesë ditë në javë. Ky shërbim është krijuar ashtu që njerëzit ardhjen në fitnes ta kenë si obligim ditor, njëjtë siç shkojnë në punë të vijnë në fitnes, kështu duke e bërë vikendin pushim njësoj si në punë. Sa i përket kohës së duhur është ajo me të cilën njerëzit janë adaptuar, nuk ka ndonjë rregull të caktuar”. Në videon më poshtë gjeni edhe disa ushtrime të demonstruar nga trajneri për personat që fillojnë fitnesin për herë të parë:

/Telegrafi/