Trajneri Arbër Peci: “Nëse nuk doni ta dëmtoni trupin, mos ushtroni në fitnes!”

Këtë e kam mësuar me vite, duke folur me shumë trajnerë dhe duke e provuar vetë në praktikë. Gjatë stërvitjes trupi nuk po ndërtohet. Ai po lodhet, po stresohet dhe po dëmtohet. Kjo është e pashmangshme dhe është pjesë e procesit të rritjes. Pa këtë fazë, nuk ka as ndryshim dhe as përparim real
Gjatë çdo ushtrimi ndodhin mikroçarje në fibrat muskulore, shpenzohet energjia dhe organizmi hyn në një gjendje ngarkese. Në atë moment nuk ka asgjë “pozitive”. Ka vetëm stres fizik. Dhe kjo nuk është gabim, por mënyra se si funksionon trupi i njeriut.
Nëse pas stërvitjes nuk ndjen lodhje, nëse nuk e ndien që trupi është sfiduar, atëherë dije se nuk po i jep atij arsye për t’u përmirësuar. Trupi përshtatet shumë shpejt. Kur ngarkesa mbetet gjithmonë e njëjtë, ai nuk ka nevojë të ndryshojë. Pa sfidë reale, nuk ka sinjal për rigjenerim dhe pa rigjenerim nuk ka rritje.
Por sfida në palestër është vetëm gjysma e punës. Përfitimi i vërtetë vjen nga ajo që bën pas saj.

Rigjenerimi ndodh vetëm nëse i krijon kushtet trupit. Ushqimi është baza. Trupi ka nevojë për ushqim të rregullt çdo 3 orë, rreth 5 deri në 6 vakte në ditë, në mënyrë që të ketë energji dhe materiale ndërtuese. Kur e lë trupin pa ushqim për orë të tëra, rigjenerimi ngadalësohet dhe lodhja zgjat më shumë.
Proteinat janë thelbësore, sepse janë baza e rindërtimit muskulor. Pa to, trupi nuk ka me çka t’i riparojë dëmtimet. Ushqimi duhet të jetë i thjeshtë dhe i pastër, jo i çrregullt dhe i rëndë.
Uji është po aq i rëndësishëm. Dehidratimi e rrit lodhjen dhe e pengon rikuperimin. Uji është pjesë e çdo procesi jetik në trup.
Gjumi është momenti kryesor i rigjenerimit. Aty trupi riparon dëmtimet dhe rikthen energjinë. Pa gjumë të mjaftueshëm, sado që stërvitesh, progresi mbetet i kufizuar.
Edhe pushimi ka rolin e vet. Pushimi nuk është dembelizëm. Është pjesë e planit. Trupi ka nevojë për kohë për ta përpunuar ngarkesën që i është dhënë.
Në fund, nëse nuk e ndien sfidën dhe lodhjen, dije që nuk je duke e shtyrë veten drejt rritjes. Ndërsa nëse e sfidon trupin dhe pastaj ushqehesh, pushon dhe fle si duhet, atëherë ai dëm i palestrës shndërrohet në forcë, formë dhe shëndet të qëndrueshëm. /Telegrafi/









































