LAJMI I FUNDIT:

Tragjedia e Jemenit, e pasqyruar në mure (Foto)

Tragjedia e Jemenit, e pasqyruar në mure (Foto)

Artistja nga Jemeni Hayfa Sebya, nëpërmjet artit është duke i rezistuar luftës dhe rrënimeve. Me vizatimet në mure, ajo pasqyron tragjedinë e përjetuar nga populli, sidomos nga gratë dhe fëmijët. Në kuadër të iniciativës së saj të quajtur “Viktimat e heshtura”, ajo ka zgjedhur muret e parrënuara në Sana.

Sebya ka bërë shtatë vizatime murale. Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), thotë se këtë iniciativë e ka nisur në muajin gusht të vitit të kaluar dhe se do të vazhdojë të vizatojë nëpër mure deri në përfundimin e përleshjeve.

“Arti ka fuqinë e përhapjes së paqes”, thotë ajo.

Sipas saj, muret e lagjeve janë pothuajse një ekspozitë e hapur e cila arrin në të gjitha pjesët e popullit.

“Muret kishin filluar të përhapin urrejtje. Mendova se do të ishte shumë më mirë nëse këto mure do të tregonin problemet e grave dhe të fëmijëve – viktima të konflikteve”, thotë Sebya.

Ajo thotë se pikturimi në mure është një metodë e “artit të lirë” dhe rruga më e shpejtë për të përçuar mesazhin e artistit tek populli.

Lidhur me reagimet e popullit të Jemenit për këto vizatime, Sebya deklaron: “Qytetarët e Jemenit kanë një shije të lartë të artit, por lufta i largoi njerëzit nga arti. Përkundër kësaj, kam marrë reagime të mira nga pjesë të ndryshme të popullit”.

Sebya thekson se në vizatimet e saj është ndikuar nga surrealizmi dhe se disa nga muralet janë dëmtuar nga konflikti. /AA/Telegrafi/