LAJMI I FUNDIT:

Tragjedia ajrore ku dyshohet si ishin përfshirë CIA dhe presidenti amerikan: Misteri i Fluturimit 533 (Video)

Tragjedia ajrore ku dyshohet si ishin përfshirë CIA dhe presidenti amerikan: Misteri i Fluturimit 533 (Video)

Nata e 8 dhjetorit të vitit 1972 ishte e qetë, por e ftohtë, kur befasisht u shfaq nga drunjtë një aeroplan i tipit Boeing 737 i cili nis të bie. Ai madje shkatërroi kulmet e shtëpive në West Lone para se të përfundonte në shtëpinë e Veronika Kusulichit, duke e lënë të vdekur atë dhe bijën e saj Theresa, transmeton Telegrafi.

Si rezultat i rrëzimit të fluturakes që u copëtua, humbën jetën 43 nga 61 pasagjerët që ishin brenda. Në mesin e viktimave ishte edhe Dorothy Hunt, gruaja e Howard Huntit, agjentit të dikurshëm të CIA-së i cili punonte për presidentin e atëhershëm të SHBA-ve, Richard Nixon.


Pesë muaj para aksidentit, agjenti Howard kishte organizuar gjithçka që të përgjohen zyrat e Partisë Demokratike, që më vonë çdi drejt aferës së njohur si Watergate. Ndërkaq, në kohën e aksidentit, ai ishte arrestuar për komplot.

Richard Nixon

Sipas disa pretendimeve, në aeroplan gjendeshin 11 persona që kishin lidhje me aferën Watergate. Përveç kësaj, e ndoshta edhe për shkak të 10 mijë dollarëve që janë gjetur në valixhen e Dorothy Huntit, që prej fillimit mendohej se qeveria kishte sabotuar rrëzimin e aeroplanit.

Edhe pse kishte rënë mbi dy centimetra borë, moti ishte mjaft i mirë dhe nuk ekzistonte kurrfarë gjase që kushtet atmosferike të kenë shkaktuar rrëzimin e aeroplanit. Piloti ishte me përvojë, pasi kishte bërë mbi 18 mijë orë fluturime, kurse aeroplani ishte rrëzuar vetëm dy milje larg pistës nga ku ishte ngritur në ajër.

Pjesëtarët e FBI-së kishin dalë në vendin e ngjarjes më shpejt seç ishte pritur, dhe për disa orë kishin bllokuar qasjen në copëzat e mbetura të aeroplanit. Për këtë arsye, opinioni nisi të pyes se çfarë në të vërtetë ata kanë bërë aty.

Njëri prej personave që kishte folur haptazi se Qeveria ka gisht në rrëzimin e aeroplanit ka qenë Sherman Scholnik, hetues nga Chicago. Ai kishte dëshmuar para Komitetit për Sigurinë e Trafikut Ajror në vitin 1973, duke thënë se FBI kishte bërë komplotin e aeroplanit të aviokompanisë United Airlines. Natyrisht, bordi nuk e kishte pranuar mirë këtë teori të konspiracionit.

Dorothy Hunt

Scholnik besonte se Dorothy Hunt kishte pasur me vete dokumente që implikonte Nixonin, dhe se prapa gjithë kësaj qëndronte vetë presidenti. Ndërkaq, 10 mijë dollarët në valixhen e saj ishin “para për të heshtur” të gjithë ata që ishin në dijeni për aktivitetet e dyshimta të Nixonit.

Megjithatë, në raportin zyrtar thuhej se ishte pikërisht gabimi i pilotit që konsiderohej shkaku kryesor i aksidentit.

Detektivi privat Charles Colson ishte i bindur se Dorothy Hunt ishte vrarë për të mos dalë në opinion historia se si CIA kishte përgjuar anëtarët e Kongresit. Por, edhe pse Scholnik dhe Colson ishin detektivë të respektuar, në këtë rast opinioni nuk u ka besuar.

Rasti i aviokompanisë United Airlines, “553” do të mbetet një nga misteret që kanë brengosur personat e dhënë pas teorive konspirative. /Telegrafi/