Tovërlanin e kënaq fitorja, jo loja

Prishtina të enjten në udhëtim mundi Besën e Pejës me rezultat 0-1, në kuadër të Raiffiesen Superliga e Kosovës në futboll.
Tekniku prishtinas pas ndeshjes tha se është i kënaqur me arkëtimin e tri pikëve të reja, e që sipas tij, ky ka qenë objektiv i skuadrës së tij në duel me pejanët.
“Synimi ynë ka qenë ta fitojmë këtë ndeshje për t’i mbajtur gjasat gjallë për titull dhe për të mos e lejuar shkëputjen më të madhe të Llamkos Kosovës, e këtë e arritëm. Është dashur ta vendosim ndeshjen në pjesën e parë, por sulmuesit nuk u treguan të saktë. Nuk jam plotësisht i kënaqur me paraqitjen e disa futbollistëve, sidomos me Viktor Kukën, i cili e humbte topin e pastër edhe kur kishte zgjidhje tjera. Mendoj se ne është dashur të luajmë në mënyrë më inteligjente, sidomos kur e kishim epërsinë numerike në fushë”, ka theksuar Tovërlani.
Ai ka pranuar se mungesa e golit te Kastriot Rexha e Shkëmbi Salihu po e rrit presionin.
“Kam pritur më shumë në të gjitha ndeshjet, sidomos nga Kastriot Rexha, por duket se ai presioni që të shënojë golin e tij të parë në Prishtinë po ndikon në paraqitjen e tij. Gjithsesi, unë jam i kënaqur me angazhimin e të dy sulmuesve dhe u kam thënë që të mos shqetësohen sepse goli do të vjen”, ka theksuar Tovërlani.
Ai shpreson se Prishtina në ndeshjet e ardhshme do të ketë paraqitje edhe më të mirë. /KP/Telegrafi/




















































