Tovërlani mposhtet në kryeqytet

Skuadra bardh e zi ka qenë mjaft e mirë në pjesën e parë, duke e gjetur golin e avantazhit në minutën e 21-të përmes kapitenit Mentor Zhdrella, pas një goditjeje të saktë. Më pas, bardh e zinjtë patën edhe dy raste të mira, por 45 minutëshi i parë u mbyll me rezultat 0:1, raporton Express.
Skuadra mysafire ka goditur prapë në fillim të pjesës së dytë, përkatësisht në minutën e 51-të përmes zëvendësuesit Fiton Hajdari, që shënoi super gol me volej, pasi e mori një top të mirë nga Enis Zabërxha.
Bardh e kaltrit e ngushtuan rezultatin vetëm tetë minuta më vonë me anë të Isuf Llumnicës, që shënoi me kokë pas një harkimi të Haxhajt. Vendësit ishin më të mirë në pjesën e dytë, por përpjekjet e tyre për ta barazuar rezultatin ishin të pamjaftueshme.
Hysi e regjistroi një fitore të madhe në kryeqytet, ndërsa për Prishtinën kjo ishte humbja e dytë. /Telegrafi/




















































