LAJMI I FUNDIT:

TORBA E MINJVE

TORBA E MINJVE

Përgatiti: Elmaz Fida

Një agronom që punonte në një fshat të thellë të Egjiptit, tregon përvojën e tij me një fshatar.

Kisha hipur në tren dhe isha nisur drejt Kajros. Përbri meje ishte ulur një bujk i moshuar, me një torbë të mbushur përgjysmë mes këmbëve. Gjatë gjithë rrugës, bujku e trazonte torbën, e përmbyste dhe e përziente mallin që kishte brenda. Kjo, pothuajse çdo çerek ore. Këtë gjë e bëri gjatë gjithë rrugës me tren.

Agronomi u çudit nga kjo sjellje dhe në një moment,  ndërhyri dhe e pyeti: “Përse e përmbysni dhe e përzieni mallin që ka kjo torba?! Kam vënë re që këtë e bëni çdo çerek ore.”

Bujku egjiptian iu përgjigj: “Unë gjuaj minj e brejtës të cilët ia shes qendrës kombëtare të studimeve në Kajro. Ata i përdorin për eksperimente në laboratorët e tyre.”

Agronomi e pyeti: “Mirë, por a s’më thua, përse i përmbys dhe i trazon ashtu?!”

Bujku u përgjigj: “Këta janë minj e brejtës të zënë në fusha e male dhe nëse i lë për më shumë se çerek ore pa i trazuar dhe pa i përmbysur, ata fillojnë e qetësohen dhe u largohet ankthi. Nuk do të kalojë shumë dhe secili prej tyre do të fillojë ta brejë torbën time për t’ia mbathur më pas. Duke i trazuar herë pas here, unë i mbaj në gjendje ankthi të vazhdueshme dhe ata se kanë mendjen ta brejnë torbën. Ja përse i trazoj dhe i përmbys, për tu rritur nivelin e ankthit, sa të mbërrij në qendrën e kërkimve në Kajro.

E di çfarë o bir?! Ne u bëjmë minjve e brejtësve, pikërisht atë që na bëjnë politikanët tanë ne vendeve lindore dhe të pazhvilluara. Për të na mbajtur të nënshtruar, të varfër, të pazhvilluar dhe të përulur, here pas here, ata e tundin “torbën” e tyre. Herë na flasin për komplotet botërore që thurren kundër nesh, herë shkaktojnë kriza ekonomike, herë të tjera shkaktojnë trazira e kriza politike … E gjitha kjo, me qëllim që të na mbajnë gjatë gjithë kohës në gjendje paniku e frike, me qëllim që të mos ua çjerrim “torbën” dhe të qëndrojmë të nënshtruar brenda diktatit të tyre.