LAJMI I FUNDIT:

Tmerri i një dite feste

Tmerri i një dite feste
Ilustrim

Më 7 tetor, në një ditë feste, Hamasi – Lëvizja e Rezistencës Islamike – sulmoi Izraelin në befasi në 22 drejtime dhe hyri rreth 24 kilometra në brendësi të vendit ku kreu masakrat më mizore në historinë e Izraelit: vrau fëmijët para prindërve, pushkatoi masivisht civilë në një festival muzikor, zuri dhe rrëmbeu një numër qytetarësh izraelitë dhe të huaj (rreth 150 veta), përfshirë të moshuar, fëmijë dhe ndonjë ushtar për t’i përdorur si mburojë njerëzore.

Shembulli më i hidhur ndërmjet 1 200 të vrarëve është ai i kibucit Kfar Azën, ku ekipet e kërkimit mbështillnin me butësi trupat e vegjël të 40 foshnjave, që u qëlluan për vdekje teksa flinin, disa syresh mendohet se u ishte prerë fyti.


Një ditë më pas

Të nesërmen e këtij kobi, Izraeli i shpalli zyrtarisht luftë Hamasit dhe filloi kundërofensivën. Thuhet që kryeministri Netanyahu të ketë deklaruar se Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të pushtojë Gazën për të rrëzuar Hamasin nga pushteti, të forcojë sigurinë e Izraelit, të mënjanojë sulmet e mëtejshme, të eliminojë autorët dhe të rimarrë shumicën e pengjeve.

Kësisoj, qeveria zgjeroi mobilizimin ushtarak dhe njoftoi se kishte hartuar një projekt për të mobilizuar 300 mijë rezervistë: thirrja më e madhe në historinë e vendit. Vendosi një ‘bllokadë totale’ në Rripin e Gazës, ku nuk do të lejojë të kalojnë as furnizimet me ushqime, ujë, energji dhe karburant derisa të rrëmbyerit të kthehen në shtëpi, ndërsa sulmoi objektivat që i përkisnin Hamasit, ku kanë humbur jetën 1 354 veta, 6 049 janë plagosur dhe sipas OKB-së, më shumë se 338 mijë njerëz janë zhvendosur.

Zëdhënësit ushtarakë bëjnë të ditur se Izraeli ka rimarrë “kontrollin e plotë” mbi kufirin e Gazës dhe punon për të riparuar murin ndarës të dëmtuar. Qindra mijëra ushtarë izraelitë, 35 batalione dhe katër divizione janë rreshtuar në jug dhe në veri të vendit, duke paralajmëruar se hakmarrja do të jetë “më e madhe dhe më e ashpër” se kurrë më parë. Në veri, sulmet me raketa të Hezbollahut po japin idenë e luftimit në shumë fronte, të cilës Izraeli i druhej prej dekadave.

Sidoqoftë, tanket dhe helikopterët e Forcës së Mbrojtjes së Izraelit (FMI) kanë goditur pikat e vëzhgimit të këtij grupi terrorist, i cili ende nuk duket të jetë angazhuar me intensitet të plotë. Në këtë situatë, kryeministri Netanyahu dhe gjeneral Benny Gantz, një nga liderët kryesorë të opozitës, njoftuan se kanë bërë një marrëveshje për krijimin e një qeverie të gjendjes së jashtëzakonshme dhe një kabineti lufte, i cili do të përbëhej nga dy liderët dhe ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant. Gantz u tha qytetarëve izraelitë se qeveria e sapoformuar ishte e bashkuar dhe e gatshme të fshinte nga faqja e dheut këtë gjë që quhet Hamas.

Mbështetje e madhe

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe liderë botërorë e kanë dënuar me indinjatë sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit, duke njohur të drejtën legjitime të shtetit izraelit të mbrojë vendin e vet. Në shenjë solidariteti, Shtëpia e Bardhë, BE-ja dhe shumë godina qeveritare evropiane u ndriçuan me ngjyrat e flamurit të Izraelit. Presidenti Biden u zotua të mbështesë Izraelin dhe popullin e tij pa rezervë.

ShBA-ja do t’i sigurojnë FMI-së pajisje, municione dhe burime financiare shtesë, përfshirë riforcimin dhe aktivizimin e plotë të sistemit raketor Iron Dome (Kupola e Hekurt). ShBA-ja në Mesdheun Lindor ka dërguar aeroplanmbajtësen Gerald R. Ford me grupin e vet mbështetës dhe po shqyrton dërgimin e një e tjetre, Dwight D. Eisenhower, për të parandaluar zgjerimin e konfliktit, si dhe për të dërguar mesazhin që askush të mos tundohet të godasë Izraelin. Po kështu, në ditët në vijim, skuadriljet e forcave ajrore amerikane të stacionuara pranë Izraelit do të përforcohen me aeroplanët shtesë luftarakë. Kryediplomati amerikan, Blinken, dje vizitoi Izraelin. Ai u tha gazetarëve se po shkonte në Izrael me një mesazh shumë të thjeshtë dhe të qartë: Shtetet e Bashkuara janë gati të mbrojnë Izraelin. Sot, ai do të takohet me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas. ShBA-ja dhe Katari besohet se janë duke udhëhequr përpjekjet diplomatike për të liruar disa nga pengjet, por Izraeli dhe Hamasi e kanë mohuar publikisht.

Po kështu, sekretari i Jashtëm britanik, Cleverly, vizitoi Jerusalemin dhe po kontakton me ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit për të mënjanuar përshkallëzimin e konfliktit dhe për sigurimin e vendkalimit tokësor Gazë-Egjipt. Presidenti Erdogan gjatë një bisede telefonike me presidentin e Izraelit, Herzog, ka ofruar ndërmjetësim për shuarjen e konfliktit.

Dështimi i inteligjencës izraelite

Izraeli ka qenë gjithmonë krenar për aftësinë e shërbimeve të tij inteligjente për të depërtuar te Hamasi dhe te militantët e Bregut Perëndimor. Veprimtaria e Shin Betit (Agjencia e Sigurisë të Brendshme apo “mburoja e padukshme”) dhe e Inteligjencës Ushtarake ka qenë e kudogjendur në Gaza. Megjithatë, Izraeli u kap pothuajse në befasi të plotë nga një armik, aftësitë e të cilit duket se i ka nënvleftësuar keq. Për ekspertët e sigurisë, kjo është e pabesueshme, e patolerueshme, bile më i keq ishte dështimi operacional i ushtrisë pasi kufiri më i ndjeshëm dhe më i rrezikshëm i Izraelit do të mbrohej më mirë se aq.

E habitshme! Si mundet që ushtria më e fuqishme në rajon dhe një nga më të sofistikuarat në botë, si mundet që shërbime sekrete kaq efikase që gjejnë se në cilin apartament të një ndërtese shumëkatëshe ndodhet një lider terrorist, nuk mundën të zbulonin një sulm i cili mund të jetë planifikuar që një vit më parë? Neglizhencë totale, gabime të pafalshme profesionale. Gjatë javëve të fundit, Hamasi pokryente stërvitjet që dukeshin si manovra praktike, përpara syve të ushtrisë izraelite. Sipas disa ekspertëve dhe analistëve, ka shumë pak gjasa që planifikimi, trajnimi dhe pozicionimi i këtij numri luftëtarësh t’u ketë shpëtuar sistemeve informative të Izraelit, por inteligjenca e interpretoi si stërvitje për diçka që Hamasi nuk do të guxonte kurrë ta bënte: e dinë se kush jemi ne, kanë gjithçka për të humbur dhe asgjë për të fituar.

Sipas tyre, ata përpiqeshin vetëm të nervozonin krerët e ushtrisë izraelite dhe nuk qe preludi i një sulmi. Inteligjenca izraelite, me sa duket, besonte se Hamasi kishte dëshpërimisht nevojë për më shumë para nga Katari i cili, që nga viti 2012, i ka dhënë mbi një miliard dollarë ndihmë. Ky qe një arsyetim i keq dhe arrogant, sepse Hamasi nisi sulm pushtimi tepër kompleks dhe të sofistikuar nga toka dhe deti. Fakti që ishte festë, nuk është justifikim.

Kjo është vija më e rrezikshme e frontit e Izraelit dhe ekspertët venë në dukje se Izraeli ka shpenzuar miliarda në teknologji, që u ka mundësuar shërbimeve të veta të zbulojnë edhe tunelet nëntokësore.

Irani

Sekretari Blinken ka vërejtur se ende nuk ka prova që Irani drejtoi ose qëndron pas këtij sulmi, por Ajatollah Ali Khamenei e përshëndeti atë kur tha: “Puthim duart e atyre që planifikuan sulmin kundër regjimit sionist”. Raportet sugjerojnë se zyrtarët iranianë të sigurisë kishin bashkëpunuar me Hamasin për ta planifikuar këtë sulm që nga gushti. Wall Street Journal vëren se Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit kishte punuar për të kryer ofensivën e planifikuar në takimet e Bejrutit, ku morën pjesë militantët e mbështetur nga Irani, përfshirë Hamasin.

Por, një zyrtar i lartë i Hamasit, Mahmud Mirdavi, këmbëngul se grupi vetë i kishte planifikuar sulmet. Pse Hamasi e nisi këtë luftë të paprovokuar, tash? Mjaft studiues të Lindjes së Mesme mendojnë se pas tij qëndron Irani, mbështetës dhe furnizues i rëndësishëm i Hamasit me para dhe me armë, që kërkon të parandalojë normalizimin e marrëdhënieve midis rivalit të vet, Arabisë Saudite dhe Izraelit, nga e cila do të përfitonte edhe Autoriteti Palestinez pasi Arabia Saudite do ta mbështeste financiarisht.

Ky normalizim do të kufizonte vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor me synim arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete, gjë që do të legjitimonte liderët palestinezë të Bregut Perëndimor, duke kërcënuar mbijetesën e Hamasit.

Në mars 2023, thuhej se Arabia Saudite kërkonte garanci nga Shtetet e Bashkuara për të vendosur marrëdhënie të normalizuara me Izraelin. Këto garanci përfshinin asistencë në zhvillimin e një programi bërthamor civil, pakësimin e kufizimeve amerikane në shitjet e armëve dhe sigurimin e garancive të sigurisë.

Lufta që sapo filloi u ka dhënë një goditje përpjekjeve që Arabia Saudite të njohë Izraelin. Sauditët e vështrojnë marrëveshjen nga pikëpamja që Izraeli t’u bëjë lëshime palestinezëve në Bregun Perëndimor, ose t’u rritet ndihma mjekësore dhe financiare, por politikanët vërejnë se një sulm ushtarak izraelit me bazë të gjerë në Rripin e Gazës, nuk ka gjasa ta çojë më tej këtë kauzë. Marrëveshja ShBA-Arabi Saudite-Izrael do të kishte qenë një tërmet diplomatik i gjeneruar nga një aleancë midis shtetit hebraik dhe shteteve të Gjirit Persik të udhëhequr nga sunitët kundër Iranit. Do të kishte qenë një nga zhvendosjet më të mëdha të rajonit në 75 vjet.

Pas sulmit të Hamasit, kjo marrëveshje është në ngrirje të thellë, pasi sauditët janë lidhur më ngushtë se kurrë me interesat palestineze. Aq është e vërtetë, sa brenda disa orësh pas pushtimit të Hamasit, Arabia Saudite lëshoi një deklaratë ku thotë: “Mbretëria po ndjek nga afër zhvillimet midis një numri fraksionesh palestineze dhe forcave pushtuese izraelite”, duke shtuar se ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për pasojat e përkeqësimit të situatës, si rezultat i okupimit, si dhe për privimin e popullit palestinez nga të drejtat legjitime. Pavarësisht deklaratave publike anti-izraelite, Arabia Saudite prej kohësh nuk i beson Hamasit për shkak të lidhjeve të ngushta ushtarake me Iranin.

Egjipti e sheh Hamasin si krahun palestinez të Vëllazërisë Myslimane, të cilën po e shtyp pamëshirshëm brenda vendit. Autoriteti Palestinez, që lëngon, e sheh Hamasin si rivalin e tij kryesor për pushtet.

Implikimet e tjera

Kjo luftë mund të godasë Ukrainën, Arabinë Saudite dhe me shumë gjasa Iranin. Pse? Çdo luftë e zgjatur Izrael-Hamas do të kërkojë më shumë pajisje ushtarake amerikane. Nëse Izraeli do të pushtojë Gazën dhe do të nisë një luftë të gjatë, Ukraina me të drejtë do të shqetësohej për raketat Patriot, predhat e artilerisë 155 milimetërshe dhe armatimet e tjera bazë, për të cilat ka nevojë të madhe, se mund të merrnin rrugën për në Tel-Aviv.

I pari që e perceptoi këtë dukuri ishte Vladimir Putini, i cili nga Soçi tha se Ukraina po mbështetej me donacione shumëmiliardëshe dhe shtoi: “Imagjinoni nëse ndihma ndalon nesër; Ukraina, pasi t’i mbarojnë municionet, do të mbijetojë vetëm për një javë”. Sidoqoftë, administrata amerikane e ka bërë të qartë se përpjekjet e ShBA-së për të rritur mbështetjen ushtarake ndaj Izraelit, nuk do të ndikojnë në ndihmën dhe armatosjen e Ukrainës edhe pse ndonjë senator, si Josh Hawley, kanë kërkuar që çdo financim për Ukrainën duhet të ridrejtohet menjëherë për në Izrael.

Hamasi po sulmon civilët izraelitë sipas një llogarie të qartë: të provokojë një kundërsulm shkatërruese të Izraelit. Numri i madh i viktimave palestineze ndoshta do të prishte marrëveshjen e paqes midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, jo vetëm duke ndezur opozitën myslimane ndaj shtetit hebraik, por duke i dhënë të djathtës ekstreme të izraelit një argument më të fortë për të kundërshtuar çdo mirëkuptim apo rregullim me palestinezët si çmim për marrëveshjen.

Dhe, nëse rezulton që Irani inkurajoi sulmin e Hamasit për të shkatërruar këtë marrëveshje, mund të rriten tensionet midis Izraelit dhe Iranit, si rrjedhojë edhe mes Izraelit dhe Hezbollahut, si dhe midis Arabisë Saudite dhe Iranit. Ky është një moment tepër i rrezikshëm, në shumë fronte.

A do të mundet, më në fund, Izraeli të mënjanojë Hamasin nga pushteti dhe të ftojë Arabinë Saudite, Egjiptin dhe ndoshta Emiratet e Bashkuara Arabe që të vendosin një forcë të konsiderueshme paqeruajtëse në këtë brez? Kjo do t’u shërbente interesave të Izraelit për të rrëzuar një armik, interesave të shteteve arabe për të dobësuar një rival dhe fuqizimit të Autoritet Palestinez për të arritur një zgjidhje që u siguron të gjitha palëve diçka me të cilën mund të jetojnë.

Në trend

Më shumë
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
“Ju kemi njohur para lufte...ju njohim edhe tash”, Haxhiu, opozitës: Milionerë nuk ishit, jeni bërë vetëm duke qenë në qeveri

“Ju kemi njohur para lufte...ju njohim edhe tash”, Haxhiu, opozitës: Milionerë nuk ishit, jeni bërë vetëm duke qenë në qeveri

Lajme
Historia e pabesueshme e ‘heroit’ që mposhti PSG-në: Pseudonimin e mori për shkak të dhëmbëve, deri në moshën 30-vjeçare ishte në kategorinë e dytë

Historia e pabesueshme e ‘heroit’ që mposhti PSG-në: Pseudonimin e mori për shkak të dhëmbëve, deri në moshën 30-vjeçare ishte në kategorinë e dytë

Ndërkombëtare
U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

Magazina
Autobusi i PSG-së e la Mbappen në stadium pas humbjes nga Dortmundi, në aeroport shkoi me transport privat

Autobusi i PSG-së e la Mbappen në stadium pas humbjes nga Dortmundi, në aeroport shkoi me transport privat

Liga e Kampionëve
Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Drejtësi
Kalo në kategori