Një person ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një sulm me thikë që ndodhi të dielën mbrëma në fshatin Zhur të Prizrenit.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.


Sipas Bytyqit, ngjarja është raportuar më 10 gusht 2025, rreth orës 21:20, kur viktima ishte dërguar fillimisht në emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren me plagë të rënda, të shkaktuara nga therje me thikë.

“Sipas mjekëve, viktima mashkull ishte therur me thikë dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është dërguar për trajtim në QKUK – Prishtinë, ku më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra”, deklaroi Bytyqi.

Policia ka vepruar menjëherë pas marrjes së informacionit, duke identifikuar dhe lokalizuar të dyshuarin.

Gjatë bastisjes është sekuestruar edhe thika që dyshohet të jetë përdorur në sulm.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë.

Hetimet për këtë rast të rëndë po vazhdojnë. /Telegrafi/