Thashethemet dikur dhe tani

Kur je fëmijë beson në gjithçka. Ashtu besoja edhe unë dikur. Kjo ishte para lufte.
Kur bëja një hap përpara rrënohej një gur, ktheja kokën, dhe pastaj mendoja me vete se duhej rrënuar edhe çatia sepse ishte rrënuar një gur por prapë vazhdoja me ambiciet e mia drejt një të ardhme të imagjinuar.
Një hap bëra pas dhe më dhuruan një lule, më dhuruan një fjalë të ëmbël, një miqësi, e unë e padjallëzuar mendoja se kisha të drejtë. Kjo ishte kur mungova disa ditë në shkollë.
Por pas lufte u zgjova nga ajo ëndërr që me shpinte në botën e çudirave ashtu sikur Lizën e vogël dikur, duke besuar se njerëzit ishin si unë, u zgjova nga ajo buzëqeshje e zezë e atyre që më “donin shumë”.
Ngritja dorën lart të thosha të vërtetën por akoma pa bërë zë ma mbyllnin gojën dhe më thoshin se nuk është drejt kështu, më mbyllnin sytë dhe më thoshin se asgjë nuk kisha parë, por dëshirën për të parë nuk mund të ma merrnin.
Unë orvatesha të flas realitetin, por njerëzit ishin të bindur në atë që ishte thënë më herët, me gojë dhe sy të mbyllur e jo në atë që e flisja pastaj.
Ndoshta se e dëshironin atë, ndoshta se iu dukej e bukur dhe kënaqeshin në fatkeqësinë e tjetrit që ia ndërronte tërë drejtimin e jetës së tij.
Por pastaj fillova të mos kthehesha pas më, dhe nuk ndalesha dot ashtu siç nuk ndalej as ora që mbaja në mur, e njerëzit më shikonin vëngër, më vrisnin me ato buzëqeshje të zbehta.
Vallë pse nuk më bën më përshtypje të kthej kokën prapa dhe të shoh se çfarë po ndodh pas shpinës sime? Pse çatia nuk po rrënohet më për një gur?- Sepse..., tani e kam kuptuar se sukseset nuk rrënojnë çatitë, nuk mbyllin gojët e këqija që ushqim kanë vetëm thashethemet.
Tani një kryelartësi është më e mirë se sa një lutje, tani një fjalë e hidhur e bën dikë të lumtur, tani një ndjenjë e zhgënjimit të bën të humbasësh në udhëkryq, një ndjenjë që të bën të mos besosh në asgjë dhe askënd...
Më vjen të qaj dhe të qesh në të njëjtën kohë, të qaj për atë që kemi arritur apo të qesh për atë që e kemi hedhur përtej kufijve.
Mbështillemi me një rrjetë fjalësh e pëshpëritjesh të njerëzve të dobët, të njerëzve që shajnë atdheun e tyre, sepse derisa shan atë që luftoi për lirinë, atë që mban emrin hero ti shan edhe gjuhën dhe zakonin e popullit tënd.
Por më vjen të qesh me heshtjen e njerëzve kur janë sy më sy, të qesh se sa të paaftë janë të thonë në sy ato që kishin thënë apo dëgjuar më herët. Janë aq të ligë sa të gjejnë forcë të ballafaqohen me të vërtetën, por vetëm fshihen dhe ikin një nga një.
Ka disa njerëz që në vend të respektit për atë që kanë bërë për vendin e tyre, njollosen me gjërat më të ulëta që mund të marr me mend një mendje e shëndoshë.
Sikur çdokush të mbante mend një fjali të një libri, të Kur’anit apo Biblës si i mbajnë mend fjalët dhe njollosjet për të tjerët, me siguri se do të ishim populli më i shquar në botë sa i përket diturisë.
Andaj, le të qeshim gjithmonë me ligësinë e të ligjve, me dobësinë e të dobëtëve dhe me dështimin e tyre.




































