LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: Takimi i Berlinit ishte i rëndë, lajm zhgënjyes për vizat

Thaçi: Takimi i Berlinit ishte i rëndë, lajm zhgënjyes për vizat

Ka përfunduar edhe pjesa e dytë apo darka në takimin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, i cili u mbajt me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emanuel Macron.

Pas përfundimit të këtij takimi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka thënë se takimi ishte i rëndë.


Ai ka deklaruar se është folur për liberalizimin e vizave duke thënë se është një qëndrimi i liderëve të Ballkanit për këtë temë është zhgënjyes.

“Ka qenë një takim jazhtëzakonisht i rëndë, për të gjithë ne që kemi qenë pjesëmarrës, në veçanti në ballafaqimin që delegacioni i Kosovës ka pasur me atë të Serbisë. Nuk mund të themi që ky takim don rezultat konkret. Kemi theksuar qartë se Kosovës i duhet patjetër vendimi për liberalizimin e vizave, e meritojmë, i kemi implementuar të gjitha kriteret. Nëse diçka e tillë nuk ndodhë në të ardhmen e afërt do të jetë zhgënjim për qytetarët e Kosovës. Sonte kishte paqartësi sa i përket këtij procesi, që është një zhgënjim për Kosovën”, ka thënë ai.

Thaçi ka theksuar se në këtë takim delegacioni ka rikonfirmuar zotimin për fqinjësi të mirë.

“E konfirmuam zotimin për fqinjësi të mirë. Dëgjuam më vëmendje kancelaren Merkel dhe presidentin Macron për interesimin e tyre për dialogun Kosovë-Serbi. Ishte konkludim i përbashkët i të gjithëve se ky konflikt i ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë duhet të tejkalohet, dhe se mundësia e vetme është të ndodhë dialogu. Nuk do të ketë dialog të kushtëzuar, duhet të jetë një proces normal. Po ashtu theksuam mundësitë si të lëvizet më shpejt dhe më mirë. Kemi shtruar nevojën që shtetet e Quintit të jenë të bashkuara në këtë proces, të mos ketë dallime. Është konfirmuar që takimi i ardhshëm do të ndodh në Paris me ftesë të presidentit Macron”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Ndër të tjera, Thaçi ka theksuar se roli i SHBA-së është i rëndësishëm që të arrihet një proces i dialogut dhe marrëveshjes.

“Në takim ritheksova se mbështetja e fuqishme dhe zotimi i SHBA-së është tejet i rëndësishëm që të kemi një dialog të duhur. Mundësia më e mirë është që të respektohet letra e Presidentit Trump. Në këtë takim ka pasur celebrim edhe për marrëveshjet e arritura mes Greqisë e Maqedonisë. Ndërsa për Kosovën u konstatua se është humbur kohë, por e ritheksuam që Serbia duhet ta njoh Kosovën, duhet të vazhdoj dialogu pa kushte. Nuk do të ketë shkëmbim territoresh, gjithmonë përpjekje maksimale të mia për një inkuadrim të Preshevës, Medvegjës, Bujanocit në territorin e Kosovës që të arrijmë një marrëveshje”, është shprehur ai.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për taksën, duke shtuar që ka kërkuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron ta bindin Vuçiqin ta njoh Kosovën.

“Vërja e taksës ka qenë vendim legjitim. Ky vendim është i Qeverisë dhe mbështetet nga të gjithë. Nuk do të ketë dialog të kushtëzuar. Ne jemi ata që vendosim për të ardhmen, vendimet tona nuk i negociojmë me Serbinë. Unë ftova kancelaren Merkel dhe presidentin Macron që ta bindin Vuçiqin ta njoh Kosovën, u pa që bindja mungonte. Nuk do të lejojë asnjë lloj autonomie të ndodhë në territorin e Kosovës, ato ide janë të vdekura, sikurse ideja që është pretenduar që të hidhet për diskutim sovraniteti i dyfishtë dhe nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive. Andaj emëruesi i përbashkët i këtij takimi është që jemi pajtuar që të mos pajtohemi”, ka thënë Thaçi./Telegrafi/