LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: Gani Sylaj mendonte dhe punonte për bashkim kombëtar

Thaçi: Gani Sylaj mendonte dhe punonte për bashkim kombëtar

Me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit, njëherësh nënkryetarit të Drenasit, Gani Sylaj është mbajtur mbledhje komemorative për të nderuar veprën jetën dhe veprën e tij.

Me këtë rast, u tha se ai është njëri ndër veprimtarët që ka punuar për idealin e Kosovës dhe për bashkimin kombëtar.


Presidenti Hashim Thaçi, nën patronatin e të cilit është mbajtur mbledhja tha se Ganiu në çdo fazë të veprimtarisë së tij i ka bashkuar njerëzit dhe se ai ka qenë njeriu i Lëvizjes Kombëtare.

Sipas tij, jeta dhe vepra e Ganiut janë jeta dhe vepra e të arriturave kombit shqiptar.

“Gani Sylaj ishte njeriu i Lëvizjes Kombëtare, njeriu që mendonte sa për Prishtinën, aq për Preshevën, Shkupin për Ulqinin mendonte për bashkim kombëtar dhe punonte. Jeta dhe vepra e Ganiut janë jeta dhe vepra e të arriturave kombit tonë, të përpjekjeve të tij. Prandaj tërë Lëvizjen Kombëtare të pasluftës së dytë botërore për liri dhe çlirim dhe bashkim mund të identifikojmë me strumbullarët e kësaj lëvizjen e bacën Adem Demaçi dhe Gani Sylaj”, tha presidenti Thaçi.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se e gjithë komuna që ai drejton dhe të gjithë qytetarët janë krenarë për veprimtarinë e Ganiut.

“Nga sot Drenasi dhe kombi ynë ka një atdhetar më pak. Ai me devotshmërinë e tij të pashoq në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar me veprimtarinë e tij ilegale atdhetare filloi rrugëtimin për liri dhe çlirim”, tha kryetari Lladrovci.

Njëri prej veprimtarëve, Mehmet Hajrizi ka shprehur të gjithë kontributin për Kosovën të veprimtarit Gani Sylaj, ku tha se ai do të kujtohet ndër breza.

“Gani Sylaj do të kujtohet ndër breza si një veprimtar i vendosur, i pathyeshëm vet mohues e i guximshëm. Zemra e të cilit rrahu vetëm për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin kombëtar”, deklaroi ai.

Përfaqësuesi i të burgosurve politik, Hydajet Hyseni tha se kontributi dhe sakrifica e Ganiu ka qenë shumë e rëndësishëm për Kosovën.

Duke folur për të, ai tha se Ganiu ishte nga të paktët që e dëshmuan se nuk u frikësuan nga lufta, por as nuk u hutua nga lakmia.

“ Ishte nga ata që e dëshmuan se nuk i frikëson lufta dhe rreziku. Por nuk i hutua as joshja e as lakmia” tha Hyseni.

Ndërkaq në emër të familjes të pranishmit i ka falënderuar djali i të ndjerit Atdhe Sylaj.

Për nder të jetës dhe veprës së tij Asambleja e komunës së Drenasit ka mbajtur një mbledhje komemorative ndërsa në Teatrin Kombëtar janë mbajtur homazhe.

Gani Sylaj ka ndërruar jetë sot në mëngjes në moshën 67 vjeçare. Ai do të varroset në orën 19:00 në fshatin e tij të lindjes në Kishnarekë./kp/