LAJMI I FUNDIT:

Thaçi në Sofje nënshkruan deklaratën “që ul koston e romingut në rajon dhe BE”

Thaçi në Sofje nënshkruan deklaratën “që ul koston e romingut në rajon dhe BE”

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare të BE, në konsultim me partnerët nga Ballkani Perëndimor, sot miratuan Deklaratën e Sofjes në 17 pika.

Aty përsëritet mbështetja e qartë ndaj perspektivës evropiane të rajonit dhe përvijohen detyrat dhe parimet që palët duhet të përmbushin gjatë procesit të integrimeve evropiane.


Ndërsa ka hedhur firmën e tij në këtë ditë të cilën e konsideron historike për Kosovën, edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi bashkë me homologët e tij të pranishëm në Samit.

Sipas Thaçit, ky është një hap konkret drejt uljes së kostos së romingut në rajon dhe me Bashkimin Evropian.

“Jetësimi i kësaj agjende digjitale është një lajm shumë i mirë për të gjithë konsumatorët dhe një përfitim i qartë i procesit të integrimit. Gjithashtu, kjo do të ndihmojë edhe nisjen e një pakoje të konsiderueshme të asistencës teknike për identifikimin e investimeve të mundshme digjitale dhe për të filluar një dialog të rregullt të rregullatorëve të Teknologjive, Informacionit dhe Komunikimit me Komisionin Evropian. Agjenda Digjitale për Ballkanin Perëndimor do të lansohet gjatë Asamblesë Digjitale në Sofje, më 26 qershor”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, BE mbështet përkushtimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë me vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin reciprok.

“Kjo përfshin, në veçanti, gjetjen dhe zbatimin e zgjidhjeve definitive, gjithëpërfshirëse dhe detyruese ndaj mosmarrëveshjeve të tyre dypalëshe, të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, si dhe përpjekje të mëtejshme për pajtim”, thuhet ndër tjera në Deklaratë. /Telegrafi/